Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka publikuar një sqarim për konsumatorët lidhur me fazën e dytë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, e cila hyn në fuqi më 1 prill 2026. Ky hap vjen si vazhdim i procesit të nisur vite më parë, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore në fuqi.
Sipas ZRRE-së, nga data 1 prill 2026, dalja nga shërbimi universal do të aplikohet për konsumatorët komercialë që nuk kanë përmbushur kushtet për furnizim në tregun e hapur gjatë vitit të kaluar dhe që nuk kualifikohen më për të mbetur në shërbimin universal.
Konsumatorët që tashmë operojnë në treg të hapur nuk do të pësojnë ndryshime në statusin e tyre.
ZRRE thekson se ky proces bazohet në kriteret e vendosura me ligj, pa ndonjë kriter të ri apo ndryshim të kushteve ekzistuese.
Qëllimi kryesor i liberalizimit është krijimi i një tregu konkurrues të energjisë, ku subjekte të kualifikuara furnizohen në treg të hapur, ndërsa shërbimi universal mbetet i orientuar ndaj kategorive të mbrojtura me tarifa të rregulluara.
ZRRE nënvizon se procesi është i planifikuar, i strukturuar dhe i zbatuar në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, duke garantuar qartësi dhe siguri për konsumatorët komercialë.
Me këtë hap, tregu i energjisë në Kosovë synon të funksionalizohet si një treg konkurrues dhe i qëndrueshëm, duke mbështetur zhvillimin ekonomik të sektorit dhe mbrojtjen e konsumatorëve të rrezikuar.



