Home / Lajme / Ndërkombëtare / Evropa përballet me kërcënimin e një krize të re energjetike

Evropa përballet me kërcënimin e një krize të re energjetike

Lufta në Lindjen e Mesme i çoi çmimet e gazit në Evropë në nivelin më të lartë që nga viti 2023 në fillim të kësaj jave, duke e vendosur kontinentin përballë një krize të re energjitike vetëm katër vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Me transportin detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit pothuajse të ndalur dhe me sulmet iraniane ndaj Katarit, që detyruan furnizuesin e dytë më të madh në botë të gazit natyror të lëngshëm të ndërpresë prodhimin, çmimet e gazit në Evropë janë rritur me 53% që nga e premtja.

“Është një goditje e dyfishtë. Evropa sapo po dilte nga një krizë industriale energjitike dhe tani po përballet me tjetrën,” tha Henning Gloystein, ekspert energjie në Eurasia Group.

Të mërkurën, një tanker me gaz natyror të lëngshëm (LNG) që fillimisht ishte nisur drejt Francës u bë ngarkesa e parë në Atlantik që ndryshoi drejtimin drejt Azisë, duke sinjalizuar konkurrencë në rritje nga ekonomitë aziatike për të siguruar furnizime.

Anija BW Brussels, e ngarkuar me LNG nga Nigeria, bëri kthesë për t’u drejtuar në jug drejt Kepit të Shpresës së Mirë, sipas kompanisë së inteligjencës së tregjeve të mallrave Kpler.

Kjo konkurrencë në rritje për ngarkesat e LNG-së vjen në një moment kur një dimër veçanërisht i ftohtë ka ulur rezervat e gazit në Evropë.

“Inventarët nuk kanë qenë kurrë kaq të ulëta në këtë periudhë të vitit,” tha Simeone Tagliapetra, studiues i lartë në institutin kërkimor Bruegel. “Rimbushja e depozitave të gazit për dimrin e ardhshëm nis tani. Nëse kjo duhet të bëhet me këto çmime, do të ishte një barrë e madhe për Evropën.”

Rezervat e gazit në të gjithë bllokun janë më pak se 30% plot, sipas të dhënave të Gas Infrastructure Europe, krahasuar me një mesatare pesëvjeçare prej rreth 45% për këtë periudhë të vitit.

Rezervat në vende si Holanda, Suedia, Kroacia dhe Letonia janë veçanërisht të ulëta.

Një zyrtar i BE-së tha se do të ishte e mundur që depozitat të mbusheshin deri në 90% para dimrit të ardhshëm dhe se shtetet anëtare nuk kishin kërkuar masa të koordinuara për të kufizuar çmimet gjatë një takimi të zhvilluar të mërkurën në mëngjes.

Kryeministri holandez Rob Jetten këmbënguli të martën se Holanda nuk rrezikonte të mbetej pa gaz, megjithëse tha se po përgatiteshin masa mbështetëse, pa dhënë detaje. “Fokusi kryesor është mbushja sa më shpejt e rezervave të gazit,” tha ai.

Një tregtar i lartë energjie tha se zakonisht pak gaz tërhiqet nga depot e BE-së pas fundit të marsit dhe se me kushtet aktuale të ngrohta të motit “po ndalojmë pothuajse plotësisht tërheqjet”.

Që nga viti 2022, BE-ja ka diversifikuar furnizimet dhe nuk varet më nga gazi rus, duke importuar shumë më tepër gaz nga SHBA dhe duke rritur furnizimet nga Norvegjia.

Europa merr vetëm rreth 10% të LNG-së nga Katari. Por nëse konkurrenca për furnizime në tregjet e tjera vazhdon të rrisë çmimet, inflacioni mund të rritet ndjeshëm dhe të frenojë rritjen ekonomike, veçanërisht në Itali dhe Gjermani, të cilat mbështeten më shumë në importet e LNG-së.

Edhe para rritjes së kësaj jave të çmimeve të gazit, inflacioni vjetor në Eurozonë u rrit në 1.9% në shkurt, më shumë nga sa pritej.

Kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane, ka paralajmëruar se një luftë e zgjatur në Lindjen e Mesme mund të shkaktojë “një rritje të konsiderueshme të inflacionit të nxitur nga energjia dhe një rënie të fortë të prodhimit”, megjithëse çmimet europiane të gazit, rreth 48.77 euro për megavat-orë, mbeten shumë më poshtë se kulmi prej 340 €/MWh që arritën në vitin 2022.

Një opsion ekstrem për të forcuar furnizimet me gaz në Europë do të ishte zgjatja e importeve nga Rusia, kanë spekuluar analistët e Rystad. BE-ja kishte planifikuar të vendoste ndalim për importet e LNG-së nga Rusia duke nisur nga prilli.

Por një propozim i tillë do të ishte politikisht shumë i diskutueshëm dhe gjithashtu do të kundërshtohej nga SHBA, e cila ka rritur eksportet e LNG-së drejt Evropës që nga reduktimi i furnizimeve ruse, duke e bërë këtë skenar “jashtëzakonisht të pamundur”, sipas Rystad.

Të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi se mund të ndërpresë furnizimet ruse përpara ndalimit të BE-së, edhe pse tha se thjesht “po mendonte me zë të lartë”.

Konflikti mund ta shtyjë gjithashtu Evropën më pranë SHBA-së, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz diskutoi marrëdhëniet tregtare me Donald Trump në Uashington të martën.

Nëse situata vazhdon, analistët presin që qeveritë kombëtare të ndërmarrin masa të tjera për të përballuar çmimet, megjithëse shumë prej tyre do të binin ndesh me ambiciet klimatike të Europës.

Një mundësi është rikthimi i përkohshëm nga gazi te qymyri në disa centrale energjitike, siç bëri Gjermania gjatë krizës energjitike të vitit 2022.

Evropa mund të mbështetet gjithashtu te një levë energjetike që mungonte gjatë krizës së mëparshme: flota bërthamore e Francës.

Rreth gjysma e 56 reaktorëve bërthamorë francezë të operuar nga EDF në vitin 2022 u mbyllën për inspektime dhe zëvendësime tubacionesh për shkak të problemeve me çarje, duke ulur prodhimin në nivelet më të ulëta në shumë vite dhe duke detyruar Francën të importojë energji elektrike.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni kishte propozuar tashmë para luftës me Iranin uljen e faturave të energjisë duke hequr çmimin e karbonit nga çmimet me shumicë të energjisë elektrike.

Ndërsa kjo masë po shqyrtohet nga Komisioni Evropian, eurodeputeti gjerman Peter Liese tha se pret që Komisioni të tregojë fleksibilitet në zbatimin e rregullave për ndihmën shtetërore nëse çmimet e larta vazhdojnë.

“Evropa ka qenë gjithmonë fleksibile në kohë krize,” tha ai.

Një mundësi tjetër do të ishte shtyrja e zgjerimit të planifikuar të sistemit europian të tregtimit të emetimeve, një nga instrumentet kryesore për rritjen e çmimit të karbonit.

Megjithatë, disa zyrtarë thanë se rritja e fundit e çmimeve të energjisë tregon nevojën për një fokus më të madh te elektrifikimi, zhvillimi i rrjeteve energjitike dhe burimet më të pastra për të ulur varësinë nga gazi.

Sipas Liese, situata nënvizon nevojën që Evropa të forcojë vetë-mjaftueshmërinë energjitike.

“Kjo tregon qartë se duhet të vazhdojmë të ulim varësinë nga lëndët djegëse fosile. Sa herë që varet prej tyre, je gjithmonë i ekspozuar ndaj goditjeve të çmimeve,” shtoi ai.

/FT

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com