Mali i Zi bëhet vendi i parë i Palëve Kontraktuese të Komunitetit të Energjisë që transponon Rregulloren TEN-E (Rregullorja për Udhëzimet mbi Infrastrukturat Energjetike Trans-Evropiane), një hap ligjor që mbështet zhvillimin e sistemeve energjetike të integruara dhe ndërkufitare, forcon sigurinë energjetike dhe nxit konkurrencën në tregun rajonal të energjisë, ka njoftuar Sekretariati i Komunitetit të Energjisë.
Sipas njoftimit të Sekretariatit, më 27 shkurt 2026, Parlamenti i Malit të Zi miratoi Ligjin mbi Projektet e Infrastrukturës Energjetike Ndërkufitare, duke u bërë vendi i parë i Palëve Kontraktuese që përvetëson Rregulloren (BE) 2022/869 – TEN-E.
Ky ligj pritet të promovojë integrimin e tregut dhe të sistemit energjetik në të gjithë rajonin e Komunitetit të Energjisë, duke krijuar një kornizë të qartë për zhvillimin e infrastrukturës energjetike trans-evropiane, njofton Energy Monitor.
Sekretariati thekson se projektet ndërkufitare të infrastrukturës energjetike ndihmojnë në lidhjen e tregjeve, përmirësojnë sigurinë e furnizimit dhe rrisin konkurrencën, duke sjellë çmime më të qëndrueshme dhe më të përballueshme të energjisë për familjet dhe bizneset në gjithë rajonin.
Ligji përfshin elementet kryesore të kornizës TEN-E, ndërsa dispozitat specifike mbi lëshimin e lejeve, manualin e procedurave, pjesëmarrjen publike dhe transparencën e projekteve ndërkufitare do të përcaktohen më tej nga Ministria përkatëse brenda gjashtë muajve pas miratimit, thekson Sekretariati.
Ky është hap i dytë ligjor i rëndësishëm i Malit të Zi brenda një muaji drejt integrimit më të thellë në tregun energjetik rajonal dhe atë evropian. Më parë, në shkurt 2026, Mali i Zi u bë vendi i tretë i Palëve Kontraktuese që transpozoi Paketa për Integrimin e Energjisë Elektrike, përcjell Energy Monitor.
Më 3 mars, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nisi procesin formal të verifikimit të përputhshmërisë, duke shënuar fillimin e vlerësimit teknik për bashkimin e tregut të energjisë elektrike me BE-në, me kusht që verifikimi të konfirmohet nga Komisioni Evropian. Sekretariati ka tre muaj për të përfunduar këtë proces.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë përshëndet këtë arritje dhe shpreh pritshmëri që edhe Palët e tjera Kontraktuese të avancojnë në transpozimin e Rregullores TEN-E, ndërsa Mali i Zi të zbatojë me sukses kornizën e tij të re ligjore.



