Home / Lajme / Kosova / NAD Investment i bashkohet bursës së energjisë ALPEX

NAD Investment i bashkohet bursës së energjisë ALPEX

Kompania shqiptare e energjisë NAD Investment është bërë anëtare e bursës së energjisë ALPEX, duke fituar të drejtën për të tregtuar energji elektrike në tregjet e organizuara të platformës.

Sipas njoftimit të ALPEX, kompania do të operojë në tregun “day-ahead” dhe atë intraday në zonën e ofertimit të Shqipërisë. Anëtarësimi në bursë u mundëson kompanive të licencuara të marrin pjesë drejtpërdrejt në tregtimin e energjisë në platformën e organizuar të tregut.

NAD Investment është themeluar në vitin 2024 dhe operon në sektorin e energjisë së ripërtëritshme. Kompania është një nga furnizuesit e licencuar në tregun e liberalizuar të energjisë në Shqipëri, njofton Energy Monitor.

Me këtë zhvillim, numri i anëtarëve të ALPEX është rritur në 43 kompani, të cilat operojnë në dy zonat e ofertimit të bursës – Shqipëri dhe Kosovë.

ALPEX u krijua nga operatorët e sistemeve të transmetimit OST në Shqipëri dhe KOSTT në Kosovë, si pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar një treg të organizuar dhe transparent të energjisë elektrike në rajon, përcjell Energy Monitor.

Platforma nisi operimin e tregut “day-ahead” në Shqipëri në vitin 2023, ndërsa në Kosovë tregu u lançua në vitin 2024. Integrimi i dy zonave të ofertimit konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së likuiditetit të tregut dhe integrimit gradual me tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë.

Hyrja e kompanive të reja në bursë pritet të kontribuojë në rritjen e konkurrencës dhe të volumit të tregtimit, ndërsa tregu i organizuar i energjisë në Shqipëri dhe Kosovë vazhdon të zgjerohet.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com