Pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Efiçiencës së Energjisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar tre vendime kyçe për eficencën energjetike në ndërtesa publike dhe një projekt të veçantë të energjisë ripërtëritshme në KEK – Porta Globale.
Vendimet u morën gjatë mbledhjes elektronike të së mërkurës dhe synojnë përmirësimin e performancës energjetike, kursimin e energjisë dhe nxitjen e tranzicionit energjetik të gjelbër.
Tre vendimet për eficiencë energjetike lidhen me projektet e ndërtesave publike, të mbështetura përmes granteve ndërkombëtare, njofton Energy Monitor.
Dy prej tyre realizohen në kuadër të Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor dhe me fondet daneze për Partneritetin për Tranzicion të Gjelbër dhe të Drejtë. Këto projekte synojnë të rrisin efikasitetin e energjisë në institucione publike, të reduktojnë humbjet dhe të promovojnë praktika të qëndrueshme në përdorimin e energjisë.
- Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për Projektin e Efiçencës së Energjisë në Ndërtesa Publike.
- Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Efiçiencës së Energjisë në Ndërtesa Publike, në kuadër të Programit Rajonal për Efiçiencën e Energjisë për Ballkanin Perëndimor.
- Nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës, Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Efiçiencës së Energjisë në Ndërtesa Publike, në kuadër të Fondit Danez për Kosovën – Partneriteti për Tranzicion të Gjelbër dhe të Drejtë në Kosovë.
Ndërkohë, projekti i energji ripërtëritshme “KEK – Porta Globale” që u miratua sot, i financuar nga Banka Evropiane për Investime, ka për qëllim rritjen e prodhimit të energjisë elektrike nga burime diellore, duke ulur varësinë nga burimet konvencionale dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik.
Përveç këtyre vendimeve, Qeveria miratoi edhe një sërë projektligjesh dhe marrëveshjesh të tjera financiare, përfshirë projektin e Rrugës me Shpejtësi të Lartë Prishtinë – Mitrovicë dhe Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujevë, si dhe nisma për lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e sektorit financiar.



