Home / Lajme / Tjera / Shpërndahen licencat për gjeodetë dhe kompani gjeodete nga Agjencia Kadastrale e Kosovës

Shpërndahen licencat për gjeodetë dhe kompani gjeodete nga Agjencia Kadastrale e Kosovës

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK) ka shpërndarë licencat për një grup të ri gjeodetësh dhe kompanish gjeodete. Licencat u dorëzuan nga Drejtori Ekzekutiv i AKK-së, Avni Ahmeti, në një ceremoni ku u theksua rëndësia e profesionalizmit dhe e zhvillimit të shërbimeve kadastrale në vend.

Sipas njoftimit, kandidatët për licencim fillimisht kanë ndjekur një trajnim të organizuar nga stafi i AKK-së dhe më pas i janë nënshtruar procesit të testimit. Pas përmbushjes së të gjitha kushteve të kërkuara për licencim, ata janë pajisur me licencat përkatëse për ushtrimin e aktivitetit profesional në fushën e gjeodezisë.

Me këtë rast, drejtori Ahmeti i informoi gjeodetët e licencuar edhe për aktivitetet aktuale të Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ai vuri theks të veçantë te Sistemi i gjeodetëve, një nga zhvillimet më të fundit në kuadër të procesit të digjitalizimit të shërbimeve kadastrale.

Ky sistem pritet të mundësojë që vetë gjeodetët të azhurnojnë të dhënat dhe të marrin produkte të ndryshme kadastrale në mënyrë elektronike, pa pasur nevojë të paraqiten fizikisht në Zyrat Kadastrale Komunale.

Gjatë takimit, gjeodetët e rinj u informuan gjithashtu shkurtimisht për progresin e arritur në projekte të tjera që janë duke u zhvilluar aktualisht nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, në kuadër të modernizimit dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe profesionistët e fushës.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com