Në Ditën Ndërkombëtare të Efiçiencës së Energjisë, Instituti për Zhvillim të Politikave të Energjisë (INDEP) nxjerr në pah se Kosova po humb një potencial të madh ekonomik dhe energjetik për shkak të përdorimit joefikas të energjisë dhe masave të pamjaftueshme për eficiencë.
Raporti “Qarkoret e Energjisë: Efiçenca e Energjisë – Fronti i Parë drejt Tranzicionit” argumenton se eficienca nuk duhet të shihet vetëm si kursim, por si një burim energjie strategjik.
“Eficienca e energjisë nuk duhet të trajtohet vetëm si një masë kursimi, por si burim energjie në vetvete,” thekson raporti.
Intensiteti energjetik i lartë i Kosovës: Ekonomia dhe sektori i ndërtesave konsumojnë më shumë energji për të prodhuar të njëjtin nivel aktiviteti ekonomik me mesataren në BE
Sipas raportit, Kosova është ndër ekonomitë me intensitet energjetik më të lartë në rajon dhe Evropë. Kjo do të thotë se ekonomia dhe sektori i ndërtesave konsumojnë më shumë energji për të prodhuar të njëjtin nivel aktiviteti ekonomik krahasuar me mesataren e Bashkimit Evropian.
INDEP thekson se ky potencial për kursime mund të prodhojë rezultate të menjëhershme dhe strukturore: ul konsumit e energjisë elektrike, zvogëlon importet dhe redukton presionin mbi sistemin energjetik.
Strategjia e Energjisë e Kosovës 2022–2031 e njeh këtë rol dhe e vendos eficiencën e energjisë si një nga shtyllat kryesore të tranzicionit energjetik. Strategjia parasheh përmirësime të konsiderueshme në ndërtesa, industri dhe transport, si dhe investime në modernizimin e stokut ekzistues të ndërtesave.
Fondi i Kosovës për Efiçencë Energjetike, potencial i papërdorur
Raporti vë në dukje rëndësinë e Fondit të Kosovës për Efiçencë të Energjisë (FKEE), i cili ka financuar ndërhyrje në ndërtesa publike, përfshirë izolimin termik, modernizimin e sistemeve të ngrohjes dhe përmirësimin e performancës energjetike të objekteve.
Megjithatë, INDEP nënvizon se potenciali i fondit është shumë më i madh se niveli aktual i investimeve.
“Nëse efiçenca e energjisë trajtohet si kapacitet i ri energjetik, atëherë programet duhet të jenë në shkallë shumë më të madhe, me investime që arrijnë qindra miliona euro në vitet e ardhshme,” thekson raporti.
Raporti rekomandon rritje të kapitalizimit të fondit, zgjerim të programeve për sektorin rezidencial dhe privat, si dhe mekanizma financiarë të rinj për të mundësuar pjesëmarrjen e sektorit privat dhe investimeve financiare.
Të dhënat e konsumit: parakusht për politika efektive
Një sfidë kryesore e politikave të eficiencës është mungesa e të dhënave të detajuara dhe transparente për konsumit energjetik.
Raporti nënvizon se për të planifikuar ndërhyrje efektive, duhet të krijohet një pasqyrë e plotë e rrjedhave energjetike në vend, duke përfshirë konsumimin sipas sektorëve, ndërtesave dhe teknologjive.
Implementimi i plotë i Ligjit për Performancën Energjetike në Ndërtesa konsiderohet hap kritik, sepse mundëson krijimin e një stoku kombëtar të ndërtesave, mbledhjen e të dhënave të detajuara për performancën energjetike dhe identifikimin e ndërtesave me potencialin më të madh për ndërhyrje.
Politikat fiskale dhe rishikimi i ligjeve
INDEP sugjeron se ligjet për eficiencën e energjisë dhe mekanizmat fiskalë duhet të përditësohen dhe të harmonizohen me standardet evropiane.
Instrumente si taksat mjedisore, tarifat mbi produkte joeficiente dhe taksat rrugore mund të përdoren për të financuar programet e eficiencës.
Sidoqoftë, aktualisht këto të ardhura nuk dedikohen për projekte specifike, por hyjnë në buxhetin e përgjithshëm, duke reduktuar efektivitetin e financimit të politikave energjetike.
Një mundësi strategjike për të ardhmen
Raporti thekson se Kosova ka një mundësi strategjike të papërdorur për të ulur kostot, për të përmirësuar sigurinë energjetike dhe për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjive të ripërtëritshme.
Masat kryesore që INDEP propozon përfshijnë: trajtimin e eficiencës si burim energjie strategjik, zgjerimin e investimeve publike, shtrirjen e Fondit të Efiçencës edhe tek sektori privat, sigurimin e të dhënave të sakta dhe rishikimin e kuadrit ligjor dhe fiskal.
“Secila masë eficiencë energjetike është një fitore e drejtpërdrejtë për qytetarët dhe ekonominë e vendit,” përfundon raporti.
Raporti i INDEP është një thirrje për veprim urgjent, duke nënvizuar se çdo vonesë humb mundësi për kursime reale energjetike dhe financiare, si dhe pengon avancimin e Kosovës drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më të pavarur.
Cilat janë rekomandimet e raportit të INDEP?
Për të vendosur efiçiencën e energjisë në qendër të tranzicionit energjetik, në raporton INDEP propozon që Kosova duhet të ndërmarrë disa hapa strategjikë:
- Të trajtojë efiçiencën e energjisë si kapacitet energjetik, duke e integruar atë në planifikimin energjetik në të njëjtin nivel me investimet në kapacitete të reja prodhuese.
- Të rrisë ndjeshëm investimet publike në efiçiencën e energjisë, përmes një programi kombëtar që mobilizon qindra miliona euro në dekadën e ardhshme.
- Të forcojë dhe kapitalizojë më tej Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, duke zgjeruar programet e tij edhe për sektorin rezidencial dhe për bizneset.
- Të zbatojë plotësisht Ligjin për Performancën Energjetike në Ndërtesa, për të krijuar një stok kombëtar të ndërtesave dhe një bazë të plotë të të dhënave për konsumin energjetik.
- Të krijojë mekanizma për financim të dedikuar të politikave të efiçiencës, duke lidhur instrumentet fiskale mjedisore me financimin e programeve të tranzicionit energjetik.
- Të rishikojë Ligjin për Efiçiencën e Energjisë, në përputhje me zhvillimet e fundit të acquis të Bashkimit Evropian dhe me objektivat e Strategjisë së Energjisë 2022–2031.



