Stafi i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), së bashku me partnerët nga GIZ Kosovo, po zhvillojnë një punëtori dyditore me qëllim avancimin e përgatitjes së një projekti të ri që financohet nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria Daneze.
Sipas njoftimit të FKEE-së, projekti synon të mbështesë zhvillimin dhe pilotimin e programeve për investime në masa të integruara të eficiencës së energjisë dhe burimeve të energjisë ripërtëritshme në ndërtesa shumëbanesore dhe ndërtesa publike. Qëllimi është ulja e konsumit të energjisë, përmirësimi i performancës energjetike të ndërtesave dhe rritja e cilësisë së kushteve të jetesës për qytetarët.
Punëtoria po shërben si platformë për koordinimin e hapave të mëtejshëm në zhvillimin e projektit dhe për harmonizimin e qasjeve mes institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë iniciativë.
FKEE theksoi se zhvillimi i këtij projekti vjen në kuadër të përpjekjeve për të rritur investimet në eficiencë energjetike dhe për të integruar më tej burimet e energjisë ripërtëritshme në sektorin e ndërtesave.
Në njoftim u theksua gjithashtu se, në Ditën Botërore të Efiçiencës së Energjisë, ky bashkëpunim nënvizon rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për përshpejtimin e tranzicionit drejt një sistemi energjetik më të qëndrueshëm dhe më efiçient.



