Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka përmbyllur me sukses ciklin e nënshkrimit të marrëveshjeve me të gjitha bankat partnere për dritaren GROW, një instrument financiar që synon të lehtësojë qasjen në financa për bizneset që investojnë në energji të ripërtëritshme dhe masa efiçiente energjetike.
Përmes këtij instrumenti, FKGK siguron garanci kreditorë që reduktojnë rrezikun për bankat, duke mundësuar që ndërmarrjet të marrin financim për projekte që kontribuojnë në zhvillimin e një ekonomie më të gjelbër dhe më të qëndrueshme, përcjell Energy Monitor.
Bashkëpunimi me bankat partnere, përfshirë Raiffeisen Bank, TEB Bank, PriBank, Banka Ekonomike, BKT Kosova, NLB, ProCredit Bank dhe BPB, është thelbësor për të krijuar mundësi financimi për investime moderne dhe miqësore me mjedisin.
Ky hap shënon një avancim të rëndësishëm drejt mbështetjes së investimeve të qëndrueshme në Kosovë dhe rrit mundësitë për zhvillimin e projekteve energjetike efikase në vend.



