Home / Lajme / Kosova / Qeveria miraton planin 1.9 milionë euro për tranzicionin energjetik të përkrahur nga Luksemburgu, 1 milion euro grante për prodhuesit

Qeveria miraton planin 1.9 milionë euro për tranzicionin energjetik të përkrahur nga Luksemburgu, 1 milion euro grante për prodhuesit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se është miratuar plani vjetor operativ në vlerë prej 1.9 milionë euro për projektin “Tranzicioni i Energjisë dhe Zbutja e Klimës në Kosovë”, i cili mbështetet nga LuxDev.

Sipas saj, plani u miratua në mbledhjen e tretë të Komitetit Drejtues dhe synon të mbështesë investimet në energji të pastër, efiçiencë energjetike dhe forcimin e kornizës ligjore të sektorit të energjisë, përcjell Energy Monitor.

Një nga komponentët kryesorë të planit është ndarja e 1 milion eurove në formë grantesh për prodhuesit vendorë, të cilat do të përdoren për investime në panele solare dhe masa të efiçiencës së energjisë. Sipas ministres, këto investime pritet të ulin kostot e prodhimit dhe të rrisin konkurrueshmërinë e bizneseve.

Plani parashikon gjithashtu forcimin e kornizës ligjore për tranzicionin energjetik, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe vazhdimin e hartimit të Strategjisë për Renovimin e Ndërtesave, njofton Energy Monitor.

Ndër aktivitetet e tjera të planifikuara për këtë vit janë zgjerimi i financimit për masa të efiçiencës së energjisë për familjet dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfundimi i digjitalizimit të Kosovo Energy Efficiency Fund (KEEF), si dhe funksionalizimi i Regjistrit Kombëtar për Performancën Energjetike të Ndërtesave.

Po ashtu, në kuadër të projektit parashihet edhe trajnimi dhe certifikimi i 60 ekspertëve dhe 15 trajnerëve për sistemet HVAC, që përfshijnë ngrohjen, ventilimin dhe klimatizimin e ajrit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com