Home / Lajme / Kosova / Ymeri kërkon transparencë nga ZRRE: Publikoni raportet para vendimit për tarifat e energjisë

Ymeri kërkon transparencë nga ZRRE: Publikoni raportet para vendimit për tarifat e energjisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të publikojë sa më shpejt raportet konsultative lidhur me procesin e shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike.

Në një reagim publik, ajo theksoi se raportet konsultative me operatorët e sektorit energjetik – KOSTT, KEDS dhe KESCO – duhet të publikohen para se të dalë raporti përfundimtar i vendimit, në mënyrë që të sigurohet transparencë dhe mundësi për diskutim publik.

Ymeri gjithashtu theksoi se periudha për komente nga publiku dhe palët e interesuara duhet të jetë e mjaftueshme, në mënyrë që secili të ketë mundësi të japë vërejtjet dhe sugjerimet e tij para marrjes së vendimit final.

Sipas saj, edhe nëse në fund nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, mbetet e rëndësishme që qytetarët të informohen se si do të mbulohen kostot e importit të energjisë nga viti i kaluar, si dhe ajo që ajo e quajti “sakrifica e importit” për këtë vit.

“Edhe nëse nuk rritet çmimi i rrymës, është shumë e rëndësishme të dimë se si do të paguhet importi i vitit të kaluar dhe sakrifica e importit për këtë vit”, ka shkruar Ymeri.

Ajo përfundoi reagimin e saj duke paralajmëruar se do të vazhdojë ta përcjellë nga afër procesin e vendimmarrjes lidhur me tarifat e energjisë.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com