Presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Skënder Krasniqi, ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për të ulur taksën dhe akcizën mbi naftën, duke vlerësuar se kjo është një nevojë emergjente për biznesin dhe qytetarët.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon që me urgjencë të ndërhyhet në taksat mbi naftën, siç po veprojnë edhe shumë vende të tjera, përfshirë rastin e fundit të Italisë. Kjo është e domosdoshme për të ulur çmimet që po ngarkojnë jashtëzakonisht biznesin dhe qytetarët dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të konsumit,” tha Krasniqi, duke shtuar se situata e tensionuar në Iran dhe në nivel global mund të shkaktojë rritje edhe më të madhe të çmimeve në muajt e ardhshëm.
Ndërkohë, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka sqaruar se pritet një stabilizim i çmimeve në muajt e ardhshëm, sidomos gjatë verës.
Ajo theksoi se çmimi i naftës përcaktohet mbi bazën e çmimit të importit të një dite më parë, dhe importuesit me shumicë mund të rrisin çmimin vetëm deri në 2 cent për litër, ndërsa shitja me pakicë mund të shtojë deri në 12 cent.
Si shembull, nëse nafta importohet me 1.50 €/litër, ajo mund të shitet me shumicë deri në 1.52 €/litër dhe me pakicë deri në 1.64 €. Aktualisht, çmimi i naftës në Kosovë është 1.71 €/litër, ndërsa benzina shitet rreth 1.30 €/litër.
Kjo situatë lidhet pjesërisht me tensionet në Lindjen e Mesme dhe luftën midis SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, që ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të karburanteve në të gjithë rajonin.
Ministrja Kusari-Lila ka siguruar qytetarët dhe bizneset se Qeveria monitoron situatën dhe synon të ruajë stabilitetin e tregut të karburanteve në vend.



