Home / Lajme / Tjera / Kosova drejt së ardhmes së gjelbër, rinia, diaspora dhe institucionet bashkojnë forcat për klimën

Kosova drejt së ardhmes së gjelbër, rinia, diaspora dhe institucionet bashkojnë forcat për klimën

Organizata jo-qeveritare për Talent dhe Arsim (TOKA) dhe Shoqata e Studentëve dhe Akademikëve Shqiptarë në Stuttgart (ASAS) kanë organizuar Konferencën “Kosova e Gjelbër: Nga angazhimi rinor tek mbështetja institucionale”.

Në këtë konferencë u diskutua për sfidat e ndryshimeve klimatike, rolin e rinisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

Këshilltari politik nga ambasada gjermane, Payaman Ghalehdar u ndal tek diaspora, duke thënë se të rinjtë e Kosoëvs që jetojnë në diasporë dëshirojnë të përkrahin këtë të fundit në aksione për klimën, arsimin dhe zhvillimin në komunitet.

“Është kënaqësi e madhe që jemi sot këtu në këtë ngjarje përfundimtare të Liderëve të Ardhshëm të Gjelbër të Kosovës, që është një nismë e cila i sjell bashkë dy partnerë bashkëpunues, si dhe zotimin e të rinjve të Kosovës për me formësu të ardhmen e tyre bashkë me dedikimin e diasporës, të cilët duan me e përkrahë Kosovën dhe rininë e saj në aksione për klimën, arsimin edhe zhvillimin në komunitet. Atëherë, të filloj duke e nënvizuar rëndësinë e rolit të diasporës. Komuniteti shqipfolës në Gjermani është shumë i angazhuar, është akademikisht shumë i fuqishëm edhe rrënjësisht i lidhur me Kosovën. Kur studentët e diasporës dhe ekspertët sjellin këtu njohurinë e tyre, atëherë ata krijojnë ura që i fuqizojnë të dy vendet tona. Dhe ky projekt është një shembull që kontribuon në mënyrë shumë konkrete dhe me ndikim shumë të madh. Gjermania përkrah angazhimin vullnetar të diasporës dhe organizatat e diasporës si dhe të ekspertëve për zhvillimin e Kosovës”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi reflektimet nga kjo ngjarje e organizuar.

“Në anën tjetër, ngjarja e sotme reflekton diçka qenësore: adresimin e ndryshimeve klimatike, i cili kërkon bashkëpunim përtej kufijve, sektorëve dhe brezave. Ky projekt e demonstron pikërisht këtë shpirt dhe është rezultat i një partneriteti të fuqishëm ndërmjet ASAS (Studentët dhe Akademikët Shqiptarë në Shtutgart) – një diasporë dinamike e bazuar në Gjermani – si dhe OJQ Toka, që është një prej organizatave më me ndikim rinore në Kosovë. Bashkëpunimi i tyre tregon se çka është e mundshme kur diaspora me ekspertizën e vet dhe eksperienca lokale bëhen bashkë me një qëllim të përbashkët”, u shpreh tutje ai.

Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e TOKA-s, Hatixhe Zeka përmendi edhe ndryshimet klimatike.

“Sot jemi mbledhur këtu për të folur për një temë që është mjaft urgjente në mbarë globin: si ta ndërtojmë një Kosovë më të gjelbër përmes angazhimit rinor dhe mbështetjes institucionale. Ndryshimet klimatike nuk janë më një temë e largët, as një çështje që u takon vetëm ekspertëve. Ndryshimet klimatike po ndikojnë në jetën tonë të përditshme, në mjedisin ku jetojmë, në cilësinë e ajrit, të ujit, në mënyrën si sillemi dhe si duhet ta mbrojmë planetin tonë. Pikërisht për këtë, ne besojmë se përgjigjja ndaj këtij realiteti duhet të fillojë edhe nga edukimi, nga vetëdijesimi dhe nga fuqizimi i të rinjve”, theksoi Zeka.

Ajo foli edhe për rëndësinë e diasporës.

“Ky projekt, “Liderët e së Ardhmes së Gjelbër të Kosovës”, ka qenë për ne një përvojë shumë e veçantë, sepse ka bashkuar dy elemente tejet të rëndësishme: potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve në Kosovë dhe kontributin e çmuar të diasporës sonë. Shpesh, kur flasim për diasporën, fokusohemi te roli i saj ekonomik. Por ky projekt na rikujtoi edhe një herë se diaspora jonë ka shumë më tepër për të ofruar: dije, përvojë, perspektivë ndërkombëtare dhe një dëshirë shumë të sinqertë për të kontribuar në vendin e vet”, shtoi ajo.

Përfaqësuesi i shoqatës së studentëve dhe akademikëve shqiptarë në Shtutgart, Arbër Osmanaj theksoi bashkëpunimin dhe dobitë e ndarjes së përvojave.

“Është një ndjenjë e veçantë krenarie për ne që kemi arritur jo vetëm të kontribuojmë në diasporë, por tani edhe të veprojmë drejtpërdrejt këtu në Kosovë. Në ditët e sotme është jashtëzakonisht e rëndësishme që dija dhe përvoja të ndahen mes popujve për të përballuar sfidat më të mëdha të njerëzimit. Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu janë reale dhe përmbajnë një sfidë që nuk e kemi parë kurrë më parë në këtë formë, me pasoja jo vetëm globale, por edhe të drejtpërdrejta këtu në Kosovë.

Në një kohë kur shtetet e ndryshme tërhiqen nga marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, bëhet edhe më e domosdoshme që Evropa ta kuptojë përgjegjësinë e saj dhe të veprojë. Diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Ne kemi pasur privilegjin të mësojmë praktikat më të mira jashtë vendit dhe kemi për detyrë të ndajmë këtë dije me vendet tona të origjinës, jo vetëm në lidhje me ndryshimet klimatike, por edhe në shumë fusha të tjera. Jam shumë mirënjohës që Gjermania na ka mbështetur dhe na ka dhënë mundësinë për të kontribuar në mënyrë aktive në këtë drejtim. Është një kënaqësi e madhe për mua të them disa fjalë falënderimi në përfundimin e këtij projekti të rëndësishëm, Future Leaders for Tomorroë”, tha ai./Ekonomia Online

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com