Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, zhvilloi një takim produktiv me Ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, dhe bashkëpunëtorët e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar LuxDev.
Gjatë këtij takimi u diskutua për përfundimin e projektit aktual që ka mbështetur MINTI-t dhe për fillimin e fazës së re të projektit me agjencinë pasuese të KIESA-s.
Në fokus të bisedimeve ishin planet për zhvillimin e politikave industriale dhe përparimi në tranzicionin e gjelbër, duke përfshirë edhe ngritjen e kapaciteteve për aftësim profesional dhe mësim dual.
Kusari theksoi se qeveria dhe MINTI mbeten të përkushtuara ndaj një politike aktive që synon të fuqizojë inovacionin dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik përmes projekteve strategjike me partnerë ndërkombëtarë, përcjell Energy Monitor.
“Ky bashkëpunim me Luksemburgun dhe LuxDev jo vetëm që përforcon kapacitetet tona institucionale, por edhe krijon mundësi të reja për profesionistët dhe studentët që synojnë të jenë pjesë e tranzicionit energjetik dhe industrial në Kosovë,” tha Kusari.
Ky projekt vjen në një kohë kur vendi po synon të avancojë në fushat e innovacionit, energjisë së ripërtëritshme dhe trajnimeve profesionale, duke përgatitur të rinjtë dhe profesionistët për kërkesat e tregut dhe për sfidat e ardhshme në sektorët industrial dhe energjetik.



