Home / Lajme / Kosova / Rritja e çmimit të naftës alarmon Kosovën, Qeveria refuzon heqjen e TVSH-së dhe akcizës

Rritja e çmimit të naftës alarmon Kosovën, Qeveria refuzon heqjen e TVSH-së dhe akcizës

Rritja e çmimit të naftës ka shkaktuar shqetësim të madh tek qytetarët dhe bizneset në Kosova, ndërsa kërkesat për masa urgjente ndaj Qeverisë po shtohen.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka dorëzuar kërkesë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për përballimin e situatës ekonomike pas rritjes së shpejtë të çmimeve të derivateve. Në këtë kërkesë janë propozuar katër masa urgjente për të zbutur pasojat ekonomike.

Nga ana tjetër, ministrja Mimoza Kusari-Lila ka bërë të qartë se heqja e TVSH-së dhe e akcizës nuk është opsion, duke theksuar se institucionet janë të fokusuar në parandalimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve.

“Është një situatë jashtë normales. Nuk bëhet fjalë për lëvizje të zakonshme të çmimeve apo abuzim nga operatorët, por për ndikime të drejtpërdrejta nga tregjet ndërkombëtare, sidomos për shkak të tensioneve në ngushticën e Hormuzit,” u shpreh ajo.

Sipas ministres, Kosova ka qenë ndër vendet e para në rajon që ka vendosur një marzhë tavan mbi çmimin e karburanteve, i bazuar në çmimin e importit në kufi. Megjithatë, ajo pranoi se efekti i rritjes së çmimeve është i pashmangshëm dhe do të vazhdojë të ndihet.

Kusari-Lila paralajmëroi gjithashtu krijimin e një task-force të përbashkët me institucionet relevante dhe përfaqësues të bizneseve, për të monitoruar çdo ditë zhvillimet në treg dhe për të ndërmarrë masa të koordinuara.

Megjithatë, ajo theksoi se ka sinjale për stabilizim, duke përmendur një rënie prej rreth 10% të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, që mund të krijojë hapësirë për lehtësim të situatës në muajt në vijim.

Sa i përket kërkesave për heqjen e TVSH-së, ministrja i quajti ato të papërshtatshme, duke argumentuar se ky është një tatim që paguhet nga konsumatori final dhe është i vështirë për t’u menaxhuar në këtë kontekst.

Në të njëjtën kohë, ajo theksoi nevojën për një qasje më afatgjatë, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rishikimin e mënyrës së transportit dhe konsumit, në mënyrë që vendi të jetë më pak i ndjeshëm ndaj krizave globale.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com