Çmimi i lartë i naftës në Kosovë ka shqetësuar qytetarët dhe bizneset, veçanërisht pas tensioneve në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, që ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale.
Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se Qeveria e Kosovës me një vendim të vetëm mund ta ulë çmimin e naftës në 1,35 €/litër, nëse vendos të ulë TVSH-në nga 18% në 8% dhe të përgjysmojë akcizën.
Sot paguhet rreth 1,70 euro për litër, por nëse TVSH-ja do të ulej nga 18% në 8% dhe akciza përgjysmohej, qytetari do të kursente 17 cent për litër nga TVSH-ja dhe 17,5 cent nga akciza, duke e bërë totalin 35 cent më të lirë për çdo litër, dhe çmimi i ri do të ishte 1,35 euro për litër, përcjell Energy Monitor.
Kërkesat për masa të tilla urgjente janë bërë më parë edhe nga AAK, duke kërkuar heqje të përkohshme të akcizës dhe ulje të TVSH-së për derivatet e naftës.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës ka refuzuar të ndërmarrë këto masa, duke theksuar se heqja e TVSH-së dhe e akcizës nuk është e mundur.
Ndërkohë, vendet fqinje në rajon kanë ndërmarrë hapa për të ulur taksat mbi naftën si masë për të frenuar rritjen e çmimeve: Serbia, Mali i Zi, Kroacia dhe Sllovenia kanë ulur akcizën dhe kanë përdorur rezervat e karburantit për të stabilizuar tregun, përcjell Energy Monitor.
Sipas ekspertëve dhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti, njëherit pjesë e LDK-së ku edhe Rukiqi bën pjesë, çmimi i lartë i derivateve ka ndikim zinxhiror në të gjithë ekonominë, duke rritur kostot e prodhimit dhe të konsumit.
Hoti sugjeron aktivizimin më të madh të Inspektoratit të Tregut dhe të Komisionit të Konkurrencës si dhe uljen e akcizës si instrument të menjëhershëm për të mbrojtur qytetarët.
Nga ana tjetër, deputetja Janina Ymeri ka publikuar të dhëna mbi importin e naftës në Kosovë për muajt janar dhe shkurt të vitit 2026, duke treguar se gjatë 59 ditëve të para të vitit, Kosova ka importuar naftë në vlerë prej mbi 61 milionë eurosh, nga e cila shteti ka arkëtuar dhjetëra miliona përmes akcizës dhe TVSH-së.



