Dokumenti i Politikave Prioritare 2027-2029 parashikon një paketë prej 6 reformash që synojnë jo vetëm integrimin me tregun evropian të energjisë, por edhe ndërtimin e një sistemi më konkurrues, të qëndrueshëm dhe socialisht të balancuar.
Strategjia synon harmonizimin e plotë me paketën energjetike të Bashkimit Evropian, që përfshin krijimin e tregut të energjisë “brenda ditës” dhe integrimin gradual të Shqipërisë në tregun evropian të energjisë elektrike. Paralelisht, qeveria synon të tërhiqet gradualisht nga përcaktimi administrativ i çmimeve të energjisë, duke kaluar drejt një tregu të liberalizuar, por të shoqëruar me masa mbrojtëse për familjet dhe grupet vulnerabël, në një përpjekje për të balancuar konkurrencën me përballueshmërinë.
Një tjetër shtyllë kyçe është zhvillimi i energjive të rinovueshme, ku parashikohet një plan ankandi transparent dhe konkurrues, si dhe instalimi i 600 MW kapaciteteve të reja. Reforma përfshin gjithashtu krijimin e komuniteteve të energjisë dhe vendosjen e sistemit të garancive të origjinës, duke synuar rritjen e peshës së burimeve të pastra në miksin energjetik.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po përgatitet të hyjë në skemën evropiane të tregtimit të emetimeve të karbonit (ETS), përmes ngritjes së sistemit të monitorimit, raportimit dhe verifikimit (MRVA), në përputhje me acquis të BE-së. Ky hap konsiderohet thelbësor për dekarbonizimin e ekonomisë dhe për afrimin me standardet klimatike evropiane.
Reformat shtrihen edhe në sektorin e ndërtesave dhe eficiencës energjetike, ku parashikohet zbatimi i një strategjie afatgjatë për rinovimin e tyre, vendosja e një skeme të detyrueshme eficience, si dhe miratimi i standardeve për etiketimin dhe ekodizajnin. Objektivi është ulja e konsumit të energjisë dhe rritja e performancës energjetike në të gjithë ekonominë.
Paketa e reformave synon të transformojë sektorin energjetik shqiptar nga një model i mbështetur kryesisht në ndërhyrje publike dhe burime tradicionale, drejt një tregu të liberalizuar, të integruar me BE-në dhe të orientuar nga energjitë e pastra, duke adresuar njëkohësisht sfidat e varfërisë energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit./ekofin.al



