Home / Lajme / Kosova / ​Azemi i LDK-së kërkon dorëheqjen e bordit të ZRRE-së: Njehsorët elektrikë matin gabimisht rrymën​

​Azemi i LDK-së kërkon dorëheqjen e bordit të ZRRE-së: Njehsorët elektrikë matin gabimisht rrymën​

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, pas një hulumtimi për energjinë elektrike në Prishtinë dhe Ferizaj tha se 87 përqind e njehsorëve elektrik nuk përkojnë me kohën reale dhe me të shtrenjtën.

Në një konferencë për media, Azemi tha se qytetarët e Kosovës janë mashtruar nga ZRRE-ja për konsum të energjisë në mbrëmje, kinse kursehet energji dhe para.

“Nga verifikimi në terren i 884 njehsorëve, rezulton se 87% e tyre e masin kohën gabimisht, duke faturuar energjinë me tarifë të shtrenjtë edhe gjatë konsumimit në orët e natës, kur tarifa është me të lirën. Krejt kjo si rezultat i dështimit të Qeverisë dhe ZREE-së për ta monitoruar sistemin e llogaritjes së kohës në njehsorët e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Azemi tha se përderisa Qeveria i fton qytetarët që ta kursejnë energjinë përmes tarifave të ulëta, ajo po i mashtron ata duke i detyruar të paguajnë me tarifë të shtrenjtë.

Gjatë kësaj konference, Azemi paraqiti kërkesat e LDK-së: 

  • Hetim i pavarur dhe auditim i plotë i sistemit të faturimit të KESCO
  • Dorëheqje e bordit të ZRRE-së
  • Kompensim në mënyrë retroaktive për çdo qytetar të dëmtuar
  • Ndërprerje të çdo procesi të shqyrtimit për rritje të tarifave të energjisë elektrike
  • Hetim nga Prokuroria për përgjegjësi penale

Azemi i bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë njehsorët nëpër shtëpitë e tyre si dhe të mos heshtin, duke kërkuar kompensim dhe llogari nga institucionet për këtë skemë mashtrimi. /Telegrafi

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com