Një delegacion i afaristëve nga Republika e Turqisë zhvilloi një takim me ministrin në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe investimeve në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, njofton Energy Monitor.
Sipas Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, në qendër të bisedimeve ishte interesimi i kompanive turke për investime në projekte të energjisë diellore, përkatësisht në instalimin e paneleve solare.
Gjatë takimit, ministri Demiri i informoi përfaqësuesit e biznesit turk për mandatin dhe kompetencat e Ministrisë për Zhvillim Rajonal, duke theksuar se, ndonëse investimet në sektorin e energjisë kanë rëndësi të madhe për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës, MZHR nuk ka kompetenca ligjore për trajtimin e projekteve në këtë fushë, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë për ta mbështetur iniciativën e investitorëve, duke bërë të ditur se interesimin e tyre do ta përcjellë te institucionet përgjegjëse për sektorin e energjisë, në mënyrë që ata të marrin informacionin dhe mbështetjen e nevojshme.
Sipas njoftimit, investitorët turq falënderuan ministrin Demiri për pritjen dhe gatishmërinë për t’i orientuar drejt institucioneve kompetente për zhvillimin e projekteve të mundshme në Kosovë.
Në takim ishte i pranishëm edhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Ylber Çitaku.



