Home / Lajme / Rrjeti elektrik / Kosova siguron grant prej 5 milionë eurosh nga KfW për modernizimin e rrjetit të transmisionit

Kosova siguron grant prej 5 milionë eurosh nga KfW për modernizimin e rrjetit të transmisionit

Kosova ka siguruar një grant prej 5 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), i cili do të financojë investime shtesë në modernizimin e rrjetit të transmisionit të energjisë elektrike.

Marrëveshja e grantit u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Financave dhe KfW-së, në kuadër të projektit “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë – Faza VII: Përmirësimi i Rrjetit të Transmisionit”. Financimi do të mbështesë realizimin e një sërë investimesh për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës së transmisionit në Kosovë.

Projekti zbatohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe synon forcimin e rrjetit të transmisionit, rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe avancimin e integrimit të tregut energjetik. Sipas institucioneve, investimet do të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve të sistemit elektroenergjetik dhe përgatitjen e tij për zhvillimet e ardhshme në sektor.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se financimi shtesë i siguruar nga Qeveria Gjermane përmes KfW-së do të mbështesë realizimin e investimeve prioritare në rrjetin e transmisionit dhe do të forcojë qëndrueshmërinë e sistemit energjetik. Ai vlerësoi gjithashtu angazhimin e KOSTT-it në zbatimin e projektit dhe progresin e deritanishëm.

Drejtori i KfW-së për Kosovë, Moritz Remé, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet e Kosovës dhe shprehu gatishmërinë e bankës për të vazhduar mbështetjen e modernizimit të sektorit energjetik.

Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, deklaroi se projektet po realizohen sipas planit, ndërsa financimi shtesë do të krijojë mundësi për modernizimin e mëtejshëm të rrjetit të transmisionit, duke rritur fleksibilitetin, sigurinë dhe besueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Ky grant është pjesë e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe KfW-së në sektorin e energjisë, ku fokusi mbetet zhvillimi i infrastrukturës kritike dhe krijimi i një sistemi energjetik më modern, më të qëndrueshëm dhe më të gatshëm për integrimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com