Home / Lajme / Rajoni / RMV, panelet diellore dhe turbinat e erës shënuan rritje në prodhim, ndërsa termocentralet rënie

RMV, panelet diellore dhe turbinat e erës shënuan rritje në prodhim, ndërsa termocentralet rënie

Në Maqedoninë e Veriut është regjistruar rritje e sasisë së energjisë së prodhuar në turbinat e erës dhe te panelet diellore, ndërkohë varësia nga termocentralet ka shënuar rënie, transmeton Portalb.mk.

Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut 13.5 përqind e energjisë elektrike të prodhuar vjen nga panelet diellore, duke përfshirë vetëm objektet që aktivitet kryesore e kanë prodhimin e energjisë elektrike. Në muajin qershor janë prodhuar 45 198 MWh, apo 62.8 përqind më shumë sesa qershori i kaluar e 23 përqind më shumë se maji i këtij viti.

Në këtë periudhë janë prodhuar 16 180 MWh energji elektrike nga turbinat e erës, apo 66.2 përqind më shumë se qershori i kaluar, por 22.5 përqind më pak se maji i këtij vitit.

Maqedonia e Veriut përkundër rritjes së sasisë së energjisë rinovuese, përsëri 51.5 përqind e energjisë elektrike në muajin qershor u prodhua te termocentralet, 22 përqind te hidrocentralet, 13.5 përqind te panelet diellore, 6.9 përqind te energjia industriale, 4.8 përqind te turbinat e erës dhe 1.3 përqind prej biogazit.