Operati i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH) ka shpallur një tender me vlerë rreth 1.5 milionë euro, për furnizimin me pajisje elektrike me qëllim përforcimin e rrjetit në tension të lartë dhe të mesëm. Ky veprim vjen si pasojë e ngarkesave në rritje dhe vjetërsisë së nënstacioneve, si dhe nga shtimi i prodhimit nga HEC-et private dhe impiantet diellore, të cilët tashmë punojnë mbi kapacitetet teknike të lejuara.
Në dokumentat e procedurës tenderuese, Drejtoria e Tensionit të Lartë theksohet se disa nënstacione dhe linja janë ndërtuar 50, 60, madje deri në 70 vjet më parë, dhe tashmë janë shtyrë deri në kufijtë e tyre operativë. Në këto kushte, furnizimi i ri me pajisje është i nevojshëm jo vetëm për situata emergjente si defekte ose dëmtime linjash, por edhe për të përballuar ngarkesat e pazakonshme nga shtimi i prodhimit energjetik në sektorët hidroenergjetik dhe diellor.
Rritja e kapacitetit të prodhimit të energjisë – veçanërisht nga hidrocentralet private dhe impiantet diellore – ka sjellë një ngarkesë shtesë për rrjetin, i cili po tenton të përbalet me kërkesën në rritje dhe me kostot e vjetërsisë së pajisjeve. Në këtë kontekst, tenderi synon të sigurojë komponentë të rinj që ndihmojnë në përmirësimin e stabilitetit dhe rezistencës së rrjetit elektrik në situata të ngarkesës së lartë.
Ky proces mbështet qëllimet më të gjera të modernizimit të infrastrukturës energjetike kombëtare, që përfshin jo vetëm përballimin e prodhimit në rritje, por edhe rritjen e efikasitetit dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm për konsumatorët në të gjithë territorin.