Home / Lajme / Rajoni / Balluku: Tropoja do të ketë parkun e erës, me mbështetjen e gjigantit amerikan të energjisë

Balluku: Tropoja do të ketë parkun e erës, me mbështetjen e gjigantit amerikan të energjisë

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur sot se shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një parku eolik në Tropojë, një projekt i madh energjetik, i cili mbështetet nga një prej kompanive më të fuqishme amerikane.

Duke folur në panelin me temë “Prioritetet ekonomike dhe projektet kyçe”, organizuar në kuadër të konferencës tre-ditore të ambasadorëve shqiptarë, Balluku nënvizoi se Shqipëria tashmë e ka shumëfishuar kapacitetin e saj energjetik të gjelbër.

“Korridori 8 nuk është vetëm një rrjet hekurudhor apo rrugor – ai është edhe një korridor energjetik për vendin tonë. Sot, Shqipëria ka arritur të gjashtëfishojë prodhimin e energjisë së rinovueshme, duke e diversifikuar portofolin e saj me 30% energji nga parqet fotovoltaike. Nëse më parë mbështeteshim kryesisht tek hidrocentralet, që prej vitit 2019 kemi ndërtuar një strategji kombëtare të qartë, duke shtuar burime të reja, si energjia diellore”, tha ajo.

Balluku theksoi se Shqipëria është e bekuar me burime natyrore të mjaftueshme për ta shndërruar tranzicionin e saj energjetik në një histori suksesi.

“Projekti i parkut të erës në Tropojë, një nga më të mëdhenjtë në Evropë, do të jetë pjesë e kurorës së gjelbër energjetike të Shqipërisë. Ai jo vetëm do të forcojë infrastrukturën tonë energjetike, por edhe do të rrisë lidhjet ndërkombëtare përmes eksportit të energjisë së pastër”, u shpreh ministrja.

Ajo e konsideroi këtë një arritje të madhe dhe një burim krenarie për vendin.

“Kur ulemi në tryezat e negociatave ndërkombëtare dhe dëgjojmë kolegë të vendeve të tjera të përballen me sfidat e tranzicionit energjetik, ne mund të themi me siguri se Shqipëria jo vetëm po kalon me sukses drejt së gjelbrës, por edhe po e pasuron portofolin e saj me burime të shumëllojshme të energjisë së rinovueshme”, shtoi Balluku.

Në fjalën e saj, zv/kryeministrja vuri në dukje se ky projekt është pjesë e një vizioni më të gjerë për ta bërë Shqipërinë një model rajonal të energjisë së pastër.

“Ky park eolik është një dëshmi konkrete e angazhimit tonë për një të ardhme të qëndrueshme dhe një ekonomi konkurruese. Ai do të krijojë mundësi të reja investimi dhe do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit”, theksoi ajo.

Balluku shtoi gjithashtu se Shqipëria po bëhet çdo ditë e më atraktive për investitorët e huaj, falë jo vetëm burimeve natyrore, por edhe transparencës së krijuar në proceset ligjore e administrative. Prania e gjigandëve ndërkombëtarë si Voltaia, Total dhe kompani të mëdha amerikane, sipas saj, është prova më e qartë e kësaj.

Duke e lidhur fjalën me zhvillimet infrastrukturore, ministrja përmendi edhe investimet e viteve të fundit: mbi 1 mijë kilometra rrugë të reja, mbi 30 km tunele dhe më shumë se 21 km ura, që lidhin Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin, si dhe Shqipërinë me fqinjët, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit.

Detajet e projektit 1.2 mld euro, 100 turbina ere me kapacitet 636 MW

Një nga parqet më të mëdhenj eolikë në Evropë pritet të ndërtohet në Tropojë, sipas deklaratave të një dite më parë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ajo tha se projekti është në fazën e marrjes së autorizimeve, ndërkohë që TV SCAN zbulon detajet e projektit, i cili është miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike në dhjetor të vitit 2023.

Statusi i investitorit potencial strategjik i është dhënë kompanisë Eralb Invest 2 shpk, për një park të kombinuar eolik dhe fotovoltaik në Tropojë, me një kapacitet total të instaluar prej 826 MW.

Projekti përbëhet nga një park i energjisë së erës me kapacitet 636 MW, ku do të instalohen 100 turbina ere si dhe nga një park fotovoltaik me kapacitet 190 MW, ku do të instalohen 418 500 panele diellore.

Vlera e investimit të projektit me potencial strategjik parashikohet të jetë 1.2 miliardë Euro, ndërsa synon të realizohet në një sipërfaqe prej 384.6 ha të shtrirë në fshatrat Viçidol, Berishë, Luzhë dhe Paç, në Bashkinë e Tropojës.

Projekti është ndarë në tre faza: matjen e burimeve të erës, përcaktimin e gjurmës dhe vendndodhjes së turbinave, si dhe aplikimin për statusin përfundimtar të investitorit strategjik.

Në rast të finalizimit, ky zhvillim e kthen Tropojën në një nga zonat më të rëndësishme për energjinë e rinovueshme, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në rajon e më gjerë.