Me rritjen e pjesëmarrjes së energjisë së erës dhe diellit në rrjetin evropian, nevoja për teknologji të besueshme që ruajnë energjinë për periudha të gjata po bëhet gjithnjë e më e ngutshme.
Raporti “The Paris Pledge”, i publikuar nga Shoqata Ndërkombëtare e Hidroenergjisë (IHA), thekson se hidrocentralet reversibile janë aktualisht zgjidhja më e qëndrueshme dhe më e leverdishme për këtë qëllim.
Sipas raportit, në Evropë janë duke u zhvilluar projekte që kapin mbi 32 gigavat kapacitete të reja, ndërkohë që vetëm Zvicra, Turqia dhe Norvegjia planifikojnë edhe 3 GW shtesë. Nëse këto projekte realizohen, ato do të mundësonin mbi 700 gigavat-orë ruajtje energjie – mjaftueshëm për të furnizuar me energji për 10 orë Italinë dhe Spanjën së bashku.
Ekspertët paralajmërojnë se për të arritur objektivat klimatike dhe për të mbajtur stabilitetin e sistemit, vendet evropiane duhet të përshpejtojnë procedurat e lejeve, të ofrojnë më shumë mbështetje financiare dhe të kenë plane strategjike për hidrocentralet reversibile.
Ndryshe nga bateritë, që janë më të shtrenjta dhe me kapacitet ruajtës afatshkurtër, hidrocentralet reversibile ofrojnë fleksibilitet shumë më të madh dhe jetëgjatësi dhjetëra vjeçare. Për këtë arsye, ato po konsiderohen si teknologji kyçe për tranzicionin energjetik dhe sigurinë energjetike të Evropës në të ardhmen.