Home / Lajme / Tjera / Nga historia e Trepçës: Lokomotiva që lidhte minierat e Kosovës me tregjet botërore

Nga historia e Trepçës: Lokomotiva që lidhte minierat e Kosovës me tregjet botërore

Në mesin e viteve ’50, oborret industriale të Trepçës u mbushën me një tingull të ri – zhurmat e lokomotivës DHL 650, e prodhuar më 1955. Kjo makinë e fuqishme nuk ishte thjesht një mjet transporti; ajo përfaqësonte hallkën lidhëse midis prodhimit të pasur minerar dhe tregjeve ndërkombëtare.

Me fuqi prej 478 kW dhe përpjekje tërheqëse 118 kN, DHL 650 bartte tonelata minerale nga zemra e minierave të Stantërgut, Artanës e Kishnicës, por edhe nga njësitë e tjera industriale të Trepçës në Vushtrri, Pejë, Prizren e më gjerë.

Përmes hekurudhës, plumbi, zinku, argjendi dhe metalet e tjera të çmuara të Trepçës udhëtonin nga Mitrovica drejt Evropës dhe më tej, duke e shndërruar Trepçën në një emër të njohur të industrisë minerare dhe metalurgjike të rajonit.

Sot, kjo lokomotivë e vjetër, e ruajtur si relike industriale, mbetet dëshmi e një epoke të artë të prodhimit, eksportit dhe zhvillimit ekonomik – kur Trepça ishte një nga motorët kryesorë të industrisë së Kosovës dhe të gjithë Ballkanit.