Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, përuroi parkun e erës Khizi-Absheron prej 240 megavatësh, një projekt kryesor i energjisë së ripërtëritshme i ndërtuar nga “PowerChina Huadong Engineering Corporation Limited (HDEC)”, citon “Xinhua”.
Duke iu drejtuar ceremonisë zyrtare të hapjes në Baku, Aliyev e përshkroi përfundimin e projektit si një moment historik që rrit kapacitetin energjetik të vendit.
Ai theksoi se projekti demonstron një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm të Azerbajxhanit.
Ambasadorja kineze në Azerbajxhan, Lu Mei, tha se projekti është një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të suksesshëm në sektorin e energjisë së rinovueshme.
“Të dy vendet kanë arritur konsensus për forcimin e bashkëpunimit në zhvillimin e gjelbër dhe ndërmarrjet kineze po marrin pjesë aktive në sektorët e rinj të energjisë dhe sektorët e lidhur me të në Azerbajxhan”,- tha ambasadorja, duke shtuar se Kina është e gatshme të ndajë mundësitë e zhvillimit me botën.
Sipas HDEC-së, objekti Khizi-Absheron është projekti më i madh i energjisë së erës në Azerbajxhan. Ndërtimi filloi në mars të vitit 2024, me termocentralin e përfunduar plotësisht dhe funksional deri në fund të dhjetorit 2025.
I pozicionuar në distriktet Absheron dhe Khizi me 37 turbina me erë, parku pritet të gjenerojë gati 1 miliard kilovat-orë energji elektrike të gjelbër në vit, të mjaftueshme për të furnizuar me energji mbi 300.000 familje.



