Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas raportimeve për ndërprerjen e energjisë elektrike në repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) duke e cilësuar këtë rast si alarmues dhe dëshmi të keqmenaxhimit të prioriteteve shtetërore.
Në reagimin e saj, Ymeri thekson se ndërprerja e rrymës në një repart jetik shëndetësor e vendos realitetin e vendit në një perspektivë krejt tjetër dhe e bën votën një përgjegjësi edhe më të madhe qytetare.
“Në një vend ku ndalet rryma në repart të Gjinekologjisë në QKUK, çdo fjalë tjetër bie poshtë. Kjo të vendos në një perspektivë komplet tjetër. Sa jetë janë rrezikuar e sa janë marrë nga hajnia e vet vendit tonë?”, shprehet Ymeri.
Ajo thekson se energjia elektrike është shërbim esencial jetësor dhe se, pavarësisht nëse ndërprerja ka qenë pasojë e një prishjeje teknike apo mungese furnizimi, rasti flet qartë për mungesë përgatitjeje dhe përgjegjësie institucionale.
“Edhe nëse ka qenë prishje e jo mungesë, ky rast tregon shumë për prioritetet e pushtetit”, ka shtuar deputetja e LDK-së.
Në fund, Ymeri bën thirrje për fokusim në zgjidhjen e problemeve elementare duke kritikuar diskursin e vetëshpalljes si shtet i zhvilluar.
“Më mirë të mos humbasim kohë me fjalë se jemi shtet i zhvilluar, por të përvjelim mëngët për gjëra elementare”, përfundon ajo.



