Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut, KOSTT, ka marrë zyrtarisht pronësinë e ngastrës në fshatin Sojevë të Komunës së Ferizajt, ku do të ndërtohet sistemi i baterive për ruajtjen e energjisë elektrike me kapacitet 90 MWh. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt realizimit të njërit prej projekteve më strategjike për stabilitetin dhe fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Kalimi i pronësisë është formalizuar përmes nënshkrimit të Kontratës për Bartjen e Pronësisë ndërmjet Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, nënkryetarit të Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, dhe ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të KOSTT-it, Shaban Neziri. Parcela me sipërfaqe prej 2.34 hektarësh i bartet KOSTT-it në zbatim të Marrëveshjes Kompakt ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës.
Projekti për Sistemin e Ruajtjes së Energjisë në Bateri (BESS) financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në bashkëfinancim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ai synon pajisjen e KOSTT-it me një sistem modern BESS me kapacitet rreth 45 MW, përkatësisht 90 MWh, që do të shërbejë për balancimin e rrjetit, menaxhimin e ngarkesës dhe lehtësimin e integrimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Sistemi i baterive do të ruajë energjinë elektrike në periudhat kur ka tepricë prodhimi dhe do ta rikthejë atë në rrjet kur kërkesa rritet, duke kontribuar në furnizim më të qëndrueshëm, siguri më të lartë të sistemit dhe kosto më të përballueshme për konsumatorët.
Zbatimi i projektit do të bëhet nga Llogaria e Sfidave të Mijëvjeçarit Kosovë, si entitet përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes Kompakt, ndërsa pas përfundimit sistemi do t’i bartet KOSTT-it për menaxhim dhe operim.
Marrëveshja Kompakt e MCC-së ka vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 milionë dollarë janë kontribut i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, ndërsa 34.7 milionë dollarë janë kontribut i Qeverisë së Kosovës. Programi synon rritjen e sigurisë energjetike, uljen e varfërisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike në vend.
Nga Ministria e Ekonomisë është theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për zhvillimin e sektorit të energjisë elektrike përmes shtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese nga burimet e ripërtëritshme, modernizimit të kapaciteteve ekzistuese dhe rritjes së fleksibilitetit të sistemit përmes teknologjive inovative. Projekti i baterive për ruajtjen e energjisë vlerësohet si një ndihmesë kyçe për rritjen e besueshmërisë së sistemit elektroenergjetik dhe uljen e kostove afatgjata për të gjithë konsumatorët.



