Evropa është në prag të një vëllimi rekord të importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) gjatë këtij viti, ndërsa furnizimi global me këtë lëndë energjie pritet të rritet ndjeshëm, ka njoftuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).
Sipas raportit tremujor të IEA-s për tregun e gazit, importet nga Evropa pritet të arrijnë 185 miliardë metra kub LNG-së në vitin 2026, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 175 miliardë metra kub në vitin 2025. Kjo rritje tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare te ndryshimet në strukturën e furnizimit energjetik të kontinentit pas rritjes së varësisë së tij nga furnizimet alternative, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara.
Përmes këtij trendi, Europa ka synuar të reduktojë varësinë ndaj gazit rus që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, duke diversifikuar burimet e furnizimit me LNG nga tregje të tjera, raporton Reuters.
Furnizimi global me LNG gjithashtu pritet të rritet me mbi 7 për qind gjatë vitit 2026, ritmi më i shpejtë i zgjerimit që nga viti 2019, me Amerikën e Veriut që dominoi investimet për kapacitet të ri.
Ekspertët e IEA-s thonë se kjo rritje e furnizimit mund të çojë në një rritje të likuiditetit të tregut global të gazit dhe në një presion në ulje të çmimeve, por paralajmërojnë se rreziqet gjeopolitike dhe kushtet e motit vazhdojnë të jenë faktorë të rëndësishëm për sigurinë energjetike.
/Gazeta Metro



