Home / Lajme / Kosova / Operatorët energjetik nuk tregojnë sa kërkuan të shtrenjtohet rryma

Operatorët energjetik nuk tregojnë sa kërkuan të shtrenjtohet rryma

Aplikacionet dhe kërkesat nga operatorët energjetik në Kosovë pritet të jenë vendimtare për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Në ZRrE nuk paragjykojë nëse në Kosovë do të ketë edhe një tjetër shtrenjtim të rrymës. Ndërkohë, operatorët energjetik në Kosovë, KEK, KESCO dhe KOSTT nuk treguan për RTV21 se sa për qind kanë kërkuar që të shtrenjtohet energjia elektrike, megjithatë, në bazë të asaj që u raportua të gjithë këta operator kanë kërkuar që rryma në Kosovë të shtrenjtohet. Për qytetarët edhe faturat aktuale janë të papërballueshme.

“Vet i kemi fajet se e kemi votu, tash kemi e bajtë edhe 4 vjet e shtrenjtojnë le të bajnë çka të dojnë…”, tha një qytetar.

“Kur shtrenjtohen kto sene duhet edhe rrogat mu rrite jo veç një kahore shtrenjtimi. 80-90 euro po vjen fatura edhe ata tu e kursy normal që është shumë vështirë e përballueshme…”, u shpreh një qytetar tjetër për rtv21

“Po çka me thanë rryma po shtrenjtohet, uji u shtrenjtua, bërllogu po shtrenjtohet nuk kom koment nuk di çka me thanë…”.

Ndonëse nuk dihet për sa për qind të tjera do të shtrenjtohet energjia elektrike, një gjë e tillë pritet të kuptohet gjatë muajit mars, ndërsa në muajin prill tarifat e reja veç do të hyjnë në fuqi. Por, në bazë të praktikave të deri tanishme të ZRRE-së, shtrenjtimi i rrymës është i pashmangshëm thotë ish-ministri i tregtisë dhe industrisë Ismet Mulaj.

“Unë pres që rryma do të shtrenjtohet për 10 deri në 20% por duhet të dihet se kjo do t’i godasë amvisëritë familjare por edhe bizneset që janë të lidhura në shërbimet universale…”, tha Mulaj për rtv21.

Kosova e cila është një nga rezervat më të mëdha të thëngjillit në botë, në periudhën e viteve 2015-2020, ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 270 milionë euro, ndërsa që nga viti 2020 deri në vitin 2025 vlera e importit të energjisë elektrike ka tejkaluar 800 milionë euro. Ndërkaq, viteve të fundit, në jo pak raste, thuhet se është paguar një kosto jashtëzakonisht e lartë edhe për transportin e energjisë. Në këtë situatë, ish-ministri i tregtisë Ismet Mulaj, tha se ZRRE para se të marr vendim për shtrenjtim të rrymës do të duhej që të kishte parasysh dy gjëra.

“E para të analizonte me kujdese se a pati manipulime gjatë importimit të energjisë elektrike dhe së dyti investimet që i lejohen operatorëve në Kosovë a janë reale dhe a i përmbushin pritshmërinë dhe kërkesat që ka ZRRE dhe qytetarët e Kosovës. Nuk mendoj se ka arsyeshmëri ekonomike që të shtrenjtohet rryma sepse operatori që ofron shërbimin universal blen energji elektrike nga prodhuesi i vetëm që është KEK me çmim jashtëzakonisht të lirë…”, u shpreh Mulaj.

ZRRE në muajin prill 2025 pati shtrenjtuar energjinë elektrike për 16.1% për të gjithë konsumatorët. Aktualisht konsumatorët që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat brenda një muaji paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, paguajnë 15.43 centë për kilovat nga 13.29 centë sa ishte vitin e kaluar. Një ndër arsyetimet e operatorëve energjetik për shtrenjtimin prej 16.1% në vitin 2025 ishte edhe rritja e pagës minimale në atë kohë prej 350 euro.

/RTV21/21Media