Home / Lajme / Kosova / Zëvendësministri Mjeku priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe, diskutohet bashkëpunimi energjetik

Zëvendësministri Mjeku priti në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe, diskutohet bashkëpunimi energjetik

Zëvendësministri i Ekonomisë i Republikës së Kosovës, Getoar Mjeku, ka pritur në takim të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Yousof Naser Abdulla Albuainain Almazrouei.

Gjatë këtij takimi u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me fokus të veçantë në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjen e investimeve strategjike, mbi potencialin që ofron Kosova për investitorët e huaj, veçanërisht në sektorët prioritarë të ekonomisë dhe energjisë.

Zëvendësministri Mjeku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe, duke vlerësuar interesimin e këtij shteti për investime në Kosovë, si dhe përvojën e tij në zhvillimin e projekteve të qëndrueshme ekonomike dhe energjetike. Ai nënvizoi angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një klime të favorshme për investime, përmes reformave dhe politikave mbështetëse për investitorët e huaj.

Nga ana e tij, Almazrouei shprehu gatishmërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe për të vazhduar dhe avancuar bashkëpunimin me Kosovën, duke theksuar interesin për eksplorimin e mundësive konkrete të investimeve, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe projekte me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit.