Deputetja e zgjedhur nga radhët e LDK dhe analistja e energjisë, Janina Ymeri, ka publikuar të dhëna të detajuara mbi gjenerimin neto të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për periudhën 2018–2025, duke theksuar se “nga viti 2021 e tutje, për pesë vite radhazi, KEK nuk e ka tejkaluar asnjëherë planin e gjenerimit”.
Sipas Ymerit, “të dhënat janë bazuar në raportet vjetore të KEK – Divizioni i Gjenerimit”, ndërsa për vitin 2025 ajo sqaron se “ende nuk ka dalë raporti përfundimtar për gjenerimin neto, por sipas ZRRE është planifikuar gjenerim më pak se në vitin 2024”.
Duke i renditur shifrat vjetore, Ymeri thekson se “në vitin 2018 KEK ka realizuar 5,007,772 MWh, ose 103% të planit, në vitin 2019 – 5,403,752 MWh, që përfaqëson 104% të planit, ndërsa në vitin 2020 prodhimi ka arritur 5,983,192 MWh, apo 108% të planit vjetor”. Ajo shton se “edhe viti 2021 ka përfunduar mbi plan, me 5,769,929 MWh ose 103% realizim”.
Megjithatë, deputetja e zgjedhur thekson se “pas vitit pandemik, trendi është qartësisht rënës”. Sipas saj, “në vitin 2022 prodhimi ka qenë 5,677,896 MWh, që përfaqëson vetëm 96% të planit, në vitin 2023 ka rënë në 4,998,201 MWh ose 91% të planit, ndërsa në vitin 2024 është regjistruar prodhim prej 5,494,964 MWh, apo 93% realizim”.
Për vitin 2025, Ymeri nënvizon se “prodhimi është ende në prag të raportimit përfundimtar”, por shton se “planifikimi i miratuar nga ZRRE parasheh 4,845,943 MWh, që përfaqëson 97% të planit vjetor dhe më pak se prodhimi i vitit 2024”.
Në përmbledhjen e saj, deputetja e zgjedhur Janina Ymeri thekson se “nga viti 2021 e tutje, KEK ka operuar vazhdimisht nën nivelin e planifikuar të gjenerimit”, duke shtuar se “trendi është rënës, pasi çdo vit, duke filluar nga periudha e pandemisë, është shënuar rënie e prodhimit të energjisë elektrike nga KEK”.



