Në Ditën Ndërkombëtare të Energjisë së Pastër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri ka publikuar objektivat për zgjerimin e energjive të ripërtëritshme dhe diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas këtij dikasteri strategjia synon që në vitin 2030, 45% e konsumit vendas të prodhohet nga teknologjitë fotovoltaike dhe eolike.
Kjo do të thotë se brenda 5 viteve do të duhet të ndërtohen centrale diellore dhe të erës, që do të mundësojnë arritjen e këtij objektivi ambicioz.
Aktualisht, prodhimi i energjisë elektrike dominohet nga hidrocentralet me 94%, ndërsa 6% prodhohet nga centralet diellore që kanë hyrë në prodhim. Nga prodhimi total, rreth 50% gjenerohet nga kapacitetet gjeneruese të Korporatës Elektorenergjetike Shqiptare, ndërsa pjesa tjetër nga privatët dhe koncesionarët. Gjithsesi, nuk ka shifra publike se çfarë peshe ze prodhimi vendas në konsum, duke qenë se ende një pjesë e nevojave plotësohen nga importi.
Ndërkaq, janë një sërë projektesh që janë prezantuar e që pritet të ndikojnë në ndryshimin e hartës së prodhimit të energjisë elektrike. Më i madhi është centrali eolik i Tropojës me fuqi 603.9 MW. Investimi do të jetë privat, teksa nuk është përcaktuar ende se cilat do të jenë përfitimet për shtetin dhe nëse do të ketë një sasi energjie të gjeneruar, që do të blihet me çmim preferencial. Kjo skemë është ndjekur në ankandet e zhvilluar për centralin fotovoltaik të Karavastasë dhe Spitallës, ku është përcaktuar se 50% e energjisë së prodhuar, për 15 vjet blihet nga shteti për 15 vjet me çmim preferencial.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aktualisht janë mbi 700 MW kapacitete private fotovoltaike të instaluara dhe që ndodhen në operim, si dhe 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhuese. Ndërkohë, energjia e erës është ende e pashfrytëzuar, pasi asnjë central nuk ka hyrë në prodhim.



