Masa mbulon gazin e tubacioneve dhe LNG-në ndërsa synon t’i japë fund varësisë nga energjia e Moskës deri në vitin 2027.
Bashkimi Evropian miratoi dje zyrtarisht rregulla të reja për të hequr gradualisht importet e gazit rus të tubacioneve dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG), me masat e miratuara nga të 27 shtetet anëtare, transmeton Anadolu.
Rregullorja përfshin dispozita mbi monitorimin e rreptë, diversifikimin e furnizimit dhe ndëshkimet për shkeljet, tha Këshilli i BE-së në një deklaratë.
Sipas rregullores, importet e gazit rus do të ndalohen gradualisht, duke filluar gjashtë javë pasi ligji të hyjë në fuqi. Kontratat ekzistuese do të lejohen të zbatohen gjatë një periudhe tranzicioni për të kufizuar ndërprerjet e tregut dhe goditjet e çmimeve.
Një ndalim i plotë i importeve të LNG-së do të zbatohet nga fillimi i vitit 2027 ndërsa importet e gazit të tubacioneve do të ndalohen nga vjeshta e vitit 2027.
Vendet e BE-së do të duhet të verifikojnë origjinën e gazit para se të autorizojnë hyrjen në bllok. Kompanitë gjithashtu duhet të njoftojnë autoritetet kombëtare dhe Komisionin Evropian (KE) për çdo kontratë të mbetur që përfshin gazin rus.
Shtetet anëtare duhet të paraqesin plane kombëtare deri më 1 mars 2026, duke përshkruar se si do të diversifikojnë furnizimet me gaz dhe do të adresojnë rreziqet e mundshme që lidhen me zëvendësimin e importeve ruse. Vendet që ende importojnë naftë ruse do të duhet të përgatisin strategji diversifikimi.
Rregullorja përcakton dënime të rënda për mosrespektimin e rregullave, përfshirë gjoba prej të paktën 2.5 milionë eurosh (gati 3 milionë dollarë) për individët dhe 40 milionë euro (47.5 milionë dollarë) për kompanitë, ose deri në 3.5 për qind të xhiros vjetore globale të një kompanie.
Në situata emergjente ku siguria energjetike kërcënohet seriozisht, KE-ja do të jetë në gjendje ta pezullojë ndalimin për deri në katër javë. KE-ja pritet të propozojë legjislacion për të hequr gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2027.


