Home / Lajme / Makinat elektrike / Shitjet e makinave elektrike në Turqi arrijnë rekorde, tregu i katërt në Evropë

Shitjet e makinave elektrike në Turqi arrijnë rekorde, tregu i katërt në Evropë

Nga luks i rrallë në makinë të zakonshme, automjetet elektrike po pushtojnë tregun turk, të nxitura nga avantazhet ekonomike dhe politikat tatimore.

Turqia ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të shitjeve të makinave elektrike, duke arritur ritmin e adoptimit të Bashkimit Europian dhe duke u renditur si tregu i katërt më i madh i automjeteve elektrike në Europë, pas Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës.

Në vitin 2016, vetëm 44 persona në Turqi blenë një automjet plotësisht elektrik. Por deri në vitin 2025, makinat elektrike përbëjnë 16.7% të shitjeve të makinave të reja në vend, shumë pranë mesatares së BE-së prej 17.4%, sipas të dhënave zyrtare të publikuara këtë javë.

“Inicialisht, Tesla ishte një produkt premium. Sot është bërë një makinë e zakonshme në Turqi”, thotë Berke Astarcıoğlu, inxhinier nga Stambolli dhe zhvillues i një aplikacioni për gjetjen e stacioneve të karikimit.

Edhe pse përqindja e adoptimit mbetet më e ulët krahasuar me vendet nordike apo Holandën, ku makinat elektrike përbëjnë nga 35% deri në 96% të shitjeve të reja, Turqia ka kaluar pothuajse të gjitha vendet e Europës Jugore dhe Lindore për nga shpejtësia e rritjes.

Ky zhvillim është pjesë e një trendi global, ku tregjet në zhvillim, nga Amerika Latine deri në Azi, po braktisin me ritme të shpejta makinat me karburante fosile.

Sipas analistëve, arsyeja kryesore e bumit në Turqi lidhet me diferencat në taksën speciale të konsumit, e cila i bën makinat elektrike vetëm pak më të shtrenjta se ato me benzinë. Madje, shitjet mbetën të larta edhe pasi qeveria rriti taksat për automjetet elektrike në gusht.

“Turqit nuk blejnë makina elektrike për arsye mjedisore, por për arsye ekonomike”, thotë Ufuk Alparslan nga think tank-u klimatik Ember. “Kostot e përdorimit janë dukshëm më të ulëta.”

Qeveria turke nuk ka një strategji të dedikuar për automjetet elektrike, por ka mbështetur fuqishëm prodhuesin vendas Togg. Në vitin 2024, Togg tejkaloi Teslën si marka më e shitur e automjeteve elektrike në vend.

Kompania planifikon të rrisë prodhimin nga 40 mijë makina në vitin 2025 në 60 mijë në vitin 2026, duke përfituar nga mbështetja fiskale dhe kreditë pa interes nga bankat shtetërore.

Edhe prodhuesit e huaj kanë përshtatur strategjitë e tyre për tregun turk. Tesla ka reduktuar fuqinë e motorëve për të përfituar nga kategoritë më të favorshme tatimore, ndërsa kompania kineze BYD ka paralajmëruar ndërtimin e një fabrike me vlerë 1 miliard dollarë në Turqi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky trend mund të mos jetë i qëndrueshëm. Stimujt tatimorë konsiderohen të brishtë dhe të ndryshueshëm, ndërsa barra totale fiskale mbi makinat elektrike mbetet e lartë, deri në 86% në disa kategori.

“Ky nuk është rezultat i një strategjie afatgjatë”, thotë ekonomisti Baki Kaya. “Personalisht, nuk jam shumë optimist se do të vazhdojë.”

Sipas analizave, pa politika të qëndrueshme fiskale dhe investime në energji të rinovueshme, inflacioni dhe luhatjet e kursit të këmbimit mund të kufizojnë aksesin e qytetarëve në automjete elektrike.

/tvklan.al