Home / Lajme / Kosova / ‘Amnistia’ e ZRrE-së ndaj KESCO-s e KEK-ut i rriti kostot për ‘shërbimet ndihmëse’ për 137% në vitin 2025

‘Amnistia’ e ZRrE-së ndaj KESCO-s e KEK-ut i rriti kostot për ‘shërbimet ndihmëse’ për 137% në vitin 2025

Me tarifat aktuale të energjisë elektrike, konsumatorët e rrymës në Kosovë janë duke paguar edhe për dështimet e institucioneve në mbikëqyrje të sektorit. Kostot për ‘shërbimet ndihmëse’ në vitin 2025 u rritën për 137 për qind, si pasojë e neglizhencës në mbikëqyrje dhe mungesës së dënimeve ndaj operatorëve që shkaktuan devijime në rrjetin elektroenergjetik.

Një “amnisti” disavjeçare e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ndaj KESCO-s dhe KEK-ut, lidhur me devijimet e shkaktuara në rrjetin elektroenergjetik, ka bërë që kostot për balancim të sistemit të rriten për 137 për qind në vitin 2025.

Nga 24.7 milionë euro sa ishin në vitin 2024, kostot për shërbime ndihmëse që u ngarkuan sivjet në tarifa kanë arritur në 43.12 milionë euro.

Në mungesë të një tregu funksional të balancimit dhe neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje, në Kosovë barra financiare për jo-balancat u ngarkohet konsumatorëve në tarifa.

Hulumtimi disamujor i Buletinit Ekonomik zbulon se rritja enorme e kostove për këtë kategori, erdhi në masë të madhe për shkak të neglizhencës së ZRrE-së në mbikëqyrje dhe mungesës së shqiptimit të gjobave ndaj operatorëve që i shkaktuan devijimet.

Vetëm gjatë muajit janar 2026, në dy raste KESCO shkaktoi devijime në rrjetin interkonektiv evropian në nivele të papara më parë, deri në 260 MW në orë të caktuara. Kjo ndodhi për shkak se KESCO e kishte parashikuar më pak konsumin së që ndodhi në të vërtetë. Pra, Kosova përgjatë ditëve 13, 14 dhe 21 janar kishte tërhequr nga rrjeti interkonektiv evropian energji shumë më shumë së që kishte parashikuar. Këto quhen devijime ose jo balanca të energjisë elektrike, që kur ndodhin shpesh mund ta rrezikojnë pozicionin e Kosovës karshi integrimeve në mekanizmat ndërkombëtar të energjetikës.

Krahas KESCO-s, devijime apo jo balanca të energjisë elektrike shpesh shkakton edhe Korporata Energjetike e Kosovës. KEK-u devijimet i shkakton nga rënia e paparashikuar e blloqeve, ose në rastet kur mbiprodhon, duke shtuar më shumë energji në rrjet.

Nga hulumtimi del se edhe KESCO edhe KEK-u, në shumë raste shkaktojnë devijime edhe me qëllim. KESCO, sepse duke e parashikuar më pak konsumin, i shmang blerjet e energjisë elektrike nga importi për atë ditë, duke ia lënë “barrën e importit” KOSTT-it, por tash si devijim. Nga kjo, sipas gjetjeve nga hulumtimi, KESCO përfiton në dy kahje; e para sepse fatura që i vjen KESCO-s për devijimet është më e lirë se fatura sikur të kishte blerë energji nga importi. Dhe e dyta, nga kjo KESCO përfiton edhe në kohë, duke ia vonuar pagesat e faturave KOSTT-it për devijimet që ka shkaktuar. Rreth 20 milionë euro është aktualisht borxhi i KESCO-s ndaj KOSTT-it.

Në anën tjetër, KEK-u rastet kur shkakton devijime me qëllim janë kur shton në sistem më shumë energji se që ka nominuar një ditë më herët. Në këto raste, KEK për këtë energji si mbiprodhim, paguhet me çmim të bursës, që është katërfish më e shtrenjtë se çmimi i fiksuar prej 29.50 euro për megavat/orë për energjinë që e shet për KESCO-n.

Devijime jo pa ndikim shkaktojnë edhe prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme. Edhe këto për shkak të rregullativës ligjore që i favorizon në raport me konsumatorët, KOSTT është e obliguar t’ua blejë edhe energjinë elektrike si devijim.

“Faturën” e neglizhencës institucionale po e paguajnë konsumatorët

Në fund, “faturën” më të shtrenjtë për këto devijime e paguajnë konsumatorët e rrymës. Konkretisht, në tarifa çdo vit ngarkohen ato që njihen si kostot për “shërbimet ndihmëse” apo energjia që blihet për balancim të sistemit sa herë operatorët shkaktojnë devijime në rrjetin elektroenergjetik. Energjia për balancim është më e shtrenjtë pasi Kosova ende nuk ka treg të balancimit siç e kanë vendet në rajon. Nga 8 milionë euro sa kanë qenë kostot për shërbime ndihmëse në vitin 2022, sivjet kanë arritur në 43.12 milionë euro.

Kjo rritje e kostove për balancim erdhi edhe për shkak të dështimit të ZRrE-së në mbikëqyrje të sektorit. Nga dokumentet që ka siguruar Buletini Ekonomik, shihet se KOSTT në vazhdimësi e njofton ZRrE-në për operatorët ‘problematik’ që shkaktojnë devijime. Sipas nominimeve që operatorët i dërgojnë në KOSTT, vërehet se KESCO është një nga operatorët që shkakton devijime të vazhdueshme duke e parashikuar konsumin gabim, si në dy rastet e muajit janar.

Por, përkundër se është e njoftuar në vazhdimësi nga KOSTT përmes email-eve, ZRrE, e cila e ka në mandat edhe shqiptimin e gjobave, ndër vite e ka toleruar këtë sjellje të operatorëve.

Sa më shumë devijime, aq më shumë rriten kostot për të ‘rezervuar’ energjinë për balancim të sistemit.

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit lidhur rritjen kaq të madhe të kostove për shërbime ndihmëse. Buletini Ekonomik është interesuar të dijë nëse ZRrE ka shqiptuar gjoba ndaj operatorëve, për të frenuar devijimet në rrjetin elektroenergjetik.

Në uebfaqe të këtij institucioni ekziston vetëm një raport i monitorimit i vitit 2021 për çështjen e devijimeve. Në këtë raport, ZRrE rendit arsyet se pse i kishte shqiptuar gjobë KESCO-s për devijimet e shkaktura aso kohe. Por nga ajo kohë, nuk ka asnjë dokument publik tjetër, përkundër devijimeve enorme të shkaktuara viteve të fundit nga operatorët.

Nga ana tjetër, KOSTT në adresimet e mëhershme për media ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren hapa, devijimet e shpeshta mund ta rrezikojnë integrimin e Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të energjetikës.

Aktualisht, Kosova ka vetëm marrëveshje të kyçjes me ENTSO-E, që është organizata në nivel evropian për operatorët e transmetimit. Përmes kësaj marrëveshje, Kosova është shkëputur nga Serbia në energjetikë, duke iu bashkuar bllokut me Shqipërinë. Marrëveshja e kyçjes nuk është antarësim, por një fazë testuese drejt antarësimit të plotë. Sa më shumë devijime (jo balanca) që shkaktojnë operatorët nga Kosova në rrjetn interkonektiv evropian, rrezikohet kjo marrëveshje, deri në përmasa të përjashtimit.

Për devijimet e shkaktura këtë muaj nga KESCO, KOSTT alarmoi dy herë për këtë rrezik.

“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E”, thuhej në njoftimin e KOSTT.

Në paralajmërimin e KOSTT, u tha se në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, “KOSTT detyrohet të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.”

Kosova pa treg të balancimit të sistemit

Në Kosovë, energjia për balancim kontraktohet nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

KOSTT e “rezervon” çdo vit në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) një sasi të energjisë elektrike vetëm për balancim të sistemit. Energjia që prodhohet duhet të jetë në ekulibër me energjinë që konsumohet. Por kur operatorët shkaktojnë devijime, KOSTT aktivizon rezervat në KESH për ta arritur ekuilibrin mes prodhimit dhe konsumit. Në gjuhën e sektorit, kjo njihet si balancim i frekuencës.

Balancimi i frekuencës është procesi përmes të cilit ruhet frekuenca e rrjetit elektroenergjetik në nivelin standard 50 Hz (herc), që është kushti bazë për funksionimin normal dhe të sigurt të sistemit elektrikenergjetik në gjithë Evropën. Frekuenca luhatet sa herë që prodhimi i energjisë elektrike nuk përputhet me konsumin. Nëse konsumi është më i madh se prodhimi, frekuenca bie; nëse prodhimi është më i madh se konsumi, frekuenca rritet. Çdo devijim i vazhdueshëm nga standardi 50 Hz rrezikon stabilitetin e rrjetit dhe e ekspozon Kosovën në raport me mekanizmat ndërkombëtar të energjisë.

Prandaj, energjia e rezervuar në KESH përdoret sa herë që në sistem ka devijime (jo-balanca), të shkaktuara nga parashikime të pasakta të konsumit, rënie të paparashikuara të prodhimit apo nominime të gabuara nga operatorët në treg.

Në kaudër të shërbimeve ndihmëse për balancim, KOSTT i ka në dispozicion rezervën automatike dhe atë manuale, që i kontrakton përmes KESH-it të Shqipërisë. Rezerva automatike është energjia rezervë që aktivizohet automatikisht brenda disa sekondave sa herë që ka luhatje të frekuencës në rrjetin elektroenergjetik. Ajo shërben për korrigjimin e menjëhershëm të devijimeve të vogla, por të shpeshta dhe stabilizimin e frekuencës standarde 50 HZ.

Ndërsa, rezerva manuale është energjia rezervë që aktivizohet, kur devijimet janë më të mëdha ose që zgjasin më gjatë dhe nuk mund të menaxhohen vetëm me rezervën automatike.

Sa i përket shërbimeve ndihmëse, ZRrE ka parashikuar një rritje jashtëzakonisht të lartë të këtyre kostove për vitin 2025. Konkretisht, krahasuar me shpenzimet e realizuara në vitin 2024 (24.7 milionë euro) dhe kostot e lejuara nga ZRRE për të njëjtin vit (18.17 milionë euro), propozimi i ZRRE-së për vitin 2025 arrin në 43.12 milionë euro, një rritje prej rreth 137%.

Kështu, kapaciteti i rezervës automatike është rritur nga ±25 MW në ±40 MW. Ndërsa rezerva manuale (mFRR) për vitin 2025 është kontraktuar me KESH-in me kapacitete prej +196 MW (lart) dhe -50 MW (poshtë) për një shumë totale prej 14.62 milionë euro, që paraqet një rritje prej 63% krahasuar me vitin paraprak.

Një problem në menaxhimin e devijimeve në rastin e Kosovës, sipas ekspertëve me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, është mungesa e një tregu funksional të balancimit. Kosova nuk ka burime të diversifikuara për prodhim të energjisë elektrike, çka përbën një mangësi në këtë drejtim. Termocentralet nuk janë shumë të përshtatshme për balancim për shkak të kohës që u duhet në ndezje. I vetmi opsion, tani për tani, mbetet ndihma nga Shqipëria, për shkak të hidrocentraleve që shihen shumë më të përshtatshme për balancim të sistemit.

Por sipas një raporti të Institutit për Politika Zhvillimore INDEP, energjia për balancim që po kontraktohet nga KESH, del të jetë shumë e shtrenjtë, dhe me impakt të madh në çmimin final për konsumatorët. INDEP vëren se mungon transparenca për procesin tenderues për kontraktimin e këtyre shërbimeve nga KESH-i i Shqipërisë.

“Kjo mungesë transparence dhe e analizës konkurruese ngre dyshime për efektivitetin e procesit të prokurimit dhe për potencialin e ngarkimit të konsumatorëve me kosto më të larta sesa ato që mund të arriheshin në një treg më konkurrues”, thuhet në raportin e INDEP me titull “Analizë e raporteve konsultative të ZRrE-së për vitin tarifor 2025”. 

/Buletini Ekonomik