Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj një videoje të publikuar së fundmi nga Kryeministri në ICK, ku ai flet për çështjen e energjisë, pikërisht në kohën kur në vend po diskutohet për një rritje të re të çmimit të rrymës dhe për valën e tretë të inflacionit.
Muharremi shprehet se videoja i është dërguar nga një mik dhe se e ka parë me shqetësim mënyrën se si Kryeministri, sipas tij, po e trajton një nga problemet më të mëdha të qytetarëve duke e krahasuar qasjen e tij me një “stand-up komedi”.
“Bash sot, kur po flitet për një rritje të re të çmimit të rrymës, hera e katërt gjatë një mandati të zgjatur, dhe për valën e tretë të inflacionit, ai po tallet me realitetin e familjeve që mezi po i paguajnë faturat”, ka shkruar Muharremi.
Sipas tij, Kryeministri nuk po shihet më si pjesë e zgjidhjes për krizën energjetike, por si pjesë e problemit. Ai thekson se kjo qasje po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve, varfërisë dhe migrimit duke dëmtuar rëndë edhe bizneset dhe ekonominë në përgjithësi.
“Sa më gjatë vazhdon kjo qasje, aq më shumë rriten çmimet, varfëria dhe migrimi. Zullumi nuk po ndalet as për bizneset, as për ekonominë. Ky model i keqqeverisjes në energji dhe ekonomi po na kushton çdo ditë dhe duhet me u ndalu”, thekson ai.
Muharremi vlerëson se, me trendin aktual, deri më tani rreth 100 mijë familje janë në prag të varfërisë dhe kanë nevojë për subvencionim për energji, ndërsa rreth 450 mijë qytetarë, gati një e treta e popullsisë, ndodhen në këtë situatë.
“Ky është realiteti në terren”, shkruan ai duke shtuar se një kryeministër që nuk e trajton seriozisht një nga hallet kryesore të qytetarëve, e thellon edhe më shumë problemin.
Në fund, Muharremi kritikon ashpër qasjen e Kryeministrit duke thënë se përgjegjësia që i është dhënë me votë kërkon seriozitet dhe jo humor në kohë krize, veçanërisht kur qytetarët nuk kanë siguri energjetike prej vitesh. /Kosova.info



