Home / Lajme / Kosova / ASK: Çdo e pesta familje në Kosovë përballet me dimër të ftohtë në shtëpi

ASK: Çdo e pesta familje në Kosovë përballet me dimër të ftohtë në shtëpi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka konstatuar se një pjesë e konsiderueshme e familjeve në vend nuk arrin të sigurojë kushte të përshtatshme ngrohjeje gjatë dimrit.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 21.6 për qind e ekonomive familjare, apo çdo e pesta familje, përjeton vështirësi për ta mbajtur banesën mjaftueshëm të ngrohtë në muajt e ftohtë.

Këto të dhëna dalin nga Anketa mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetës, e cila mat nivelin e mirëqenies dhe kushtet bazë të jetesës së qytetarëve. Rezultatet tregojnë se, ndonëse shumica e familjeve arrijnë të përballojnë nevojat bazë të ngrohjes, një pjesë e madhe vazhdon të jetojë në kushte të pafavorshme termike, duke u ekspozuar ndaj rreziqeve shëndetësore dhe kushteve të vështira të jetesës, përcjell Energy Monitor.

ASK vëren se vështirësitë për ngrohje lidhen drejtpërdrejt me të ardhurat e ulëta, kostot e larta të energjisë dhe mungesën e sistemeve efikase të ngrohjes.

Fenomeni i varfërisë energjetike mbetet i pranishëm, veçanërisht te familjet me të ardhura të ulëta, të moshuarit dhe familjet në zona rurale, duke e bërë ngrohjen e banesave një nga sfidat kryesore sociale gjatë sezonit të dimrit.

/Energy Monitor