Kosova mund të përballet sërish me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kompania KEDS ka paraqitur kërkesën e radhës në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rishikim të tarifave, duke e bërë këtë kërkesën e katërt për ngritje çmimi gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Një vendim i tillë, nëse miratohet, pritet të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetet familjare dhe koston e prodhimit të bizneseve.
Paralajmërimi për shtrenjtim të ri të energjisë elektrike ka nxitur reagime të shumta në vend. Parashtrimi i kërkesës së kompanisë KESCO në ZRrE për rritje të çmimit të energjisë elektrike për 21.4 për qind ka alarmuar opozitën dhe qytetarët.
Për një gjë të tillë ata kanë fajësuar Qeverinë në detyre. Sipas tyre, shtrenjtim i serishëm i rrymës do të ndikojë edhe në shtrenjtimin e produkteve tjera.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve.
“E kam thënë edhe më herë, po e përseris prapë se trashja e xhepave të tregtarëve të energjisë, pjesë e mafisë energjetike, bëhet duke u zbrazur xhepat qytetarëve. Kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë nuk është as e vetmja e as definitive, pasi rritje çmimi sigurt kanë kërkuar edhe operatorët e tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK. Sido që të jetë, mos e harroni kurrë premtimin e Albin Kurtit para se të vinte në pushtet, kur thoshte ”do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”, ka shkruar ajo.
Ajo ka bërë me dije se duhet të kundërshtohet çfarëdo vendimi i tillë.
“Një gjë tjetër duhet ta kemi parasysh se sa herë që flitet për rritje të çmimit të energjisë, rriten çmimet e të gjitha artikujve. Pra, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ. Dhe në fund mos harroni se 100 Euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, shtesat për fëmijë, shtesat për të moshuar dhe studentë janë pasojë e varfërimit të qytetarëve, jo rezultat i zhvillimit ekonomik. Ka ardhur koha që secili qytetar i këtij vendi të dalë kundër çdo vendimi të padrejtë të institucioneve publike dhe qeverisë”, ka shkruar ajo.
Edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar ashpër.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se kjo do të jetë rritja e katërt e çmimit të energjisë gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
“Po e shoh që KESCO paska propozuar 21% rritje të rrymës. Nëse aprovohet, kjo do të jetë rritja e katërt vetëm këtë mandat! Me rëndësi, ne po “prodhojmë” dronë ushtarak, faturat e qytetarëve sipas pushtetit, mund edhe të presin”, ka shkruar ajo.
Dje është bërë e dotir se KESCO ka parashtruar kërkesën për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në dokumentin që ia ka drejtuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kjo kompani për kërkua që çmimi i rrymës për vitin 2026 të ngritët 21.4 për qind.
Sipas KESCO, kërkesa pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme.
“Konsumi i konsumatorëve që vazhdojnë të përmbushin kriteret për furnizim me shërbim universal ka shënuar rritje. Kjo ka rezultuar në rritje të nevojave për blerje të energjisë elektrike për mbulimin e konsumit të FSHU-së, në përputhje me obligimin ligjor për sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm dhe të sigurt për këta konsumatorë”, është thënë në kërkesën e kësaj kompanie.
Ish-ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Ismet Mulaj ka folur ndaj paralajmërimit të KESCO-s për një rritje të mundshme prej 21 për qind të çmimit të energjisë elektrike.
Ai ka deklaruar se energjia është nevojë bazike dhe çdo shtrenjtim ka pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
Sipas Mulajt, një rritje kaq e lartë do të kishte efekt zinxhir në shpenzimet familjare.
“Energjia elektrike është nevojë bazike dhe çdo rritje ka efekt zinxhir në shpenzimet familjare dhe në çmimet e produkteve e shërbimeve. Një rritje kaq e lartë vështirë se mund të justifikohet pa u shteruar më parë të gjitha mundësitë për rritje të efikasitetit, ulje të humbjeve, menaxhim më të mirë të kostove dhe mbështetje nga institucionet shtetërore”, u shpreh Mulaj.
Ai ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji që ta trajtojë këtë propozim me kujdes maksimal.
“ZRRE duhet ta trajtojë këtë propozim me kujdes maksimal dhe në interes të publikut, duke siguruar transparencë të plotë dhe duke mbrojtur konsumatorin. Rritjet e tilla të larta nuk duhet të jenë zgjidhja e parë, sepse barra përfundimtare bie gjithmonë mbi qytetarin”, deklaroi Mulaj.
Eksperti i ekonomisë për çmimet e rrymës: Familjet me të ardhura të ulëta dhe pensionistët do të preken
Lulzim Beqiri, njohës i çështjeve ekonomike në një deklaratë dhënë “Front Online” ka kritikuar propozimin e KEDS-it për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 21%, duke e cilësuar si një goditje të rëndë për ekonominë e qytetarëve.
“Propozimi i KEDS-it për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21% përbën një goditje të rëndë për ekonominë e qytetarëve dhe veçanërisht për grupet më të cenueshme të shoqërisë. Në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm dhe të ardhurat e shumicës së familjeve nuk po e ndjekin këtë ritëm”, tha Beqiri.
Beqiri shprehet se energjia elektrike është një shërbim esencial dhe çdo vendim për rritje duhet të merret duke respektuar interesin publik.
“Familjet me të ardhura të ulëta, pensionistët dhe bizneset e vogla do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përballojnë shpenzimet bazike. Energjia elektrike është një shërbim esencial dhe çdo vendim për rritje çmimi duhet të marrë parasysh interesin publik, transparencën dhe mbrojtjen e qytetarëve, e jo vetëm fitimin e kompanive energjetike”, ka deklaruar Beqiri.



