Lulzim Syla, ekspert i energjisë dhe një nga pronarët në Elen Energy, ka dhënë një analizë të thelluar për situatën energjetike në Kosovë, duke theksuar potencialin për të zvogëluar importet dhe për të rritur stabilitetin e rrjetit.
“Kosova ka importuar rreth 1.08 miliardë euro energji elektrike gjatë 2015 – shtator 2025, nga të cilat vetëm gjatë 2025 shifrat kaluan 250 milion euro. Por gjatë këtij viti, vendi ka shitur 150 milion euro energji, çka tregon se ekziston mundësia për të menaxhuar më mirë sektorin,” ka shkruar Syla në postimin e tij në rrjete sociale, përcjell Energy Monitor.
Ai sugjeron se, po të kishte pasur vullnet politik që nga viti 2012, qeveritë mund të kishin ndarë 5 – 10 milion euro në vit për mbështetje të familjeve dhe bizneseve, fonde të cilat mund të mbështeteshin edhe nga donatorë të tjerë.
“Me një fond të tillë, sot Kosova mund të kishte mbi 100 MW projekte solare nëpër shtëpi dhe mbi 100 MW sisteme solare dhe ruajtjeje energjie në bateri. Kjo do të ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për stabilitetin e rrjetit dhe do të zvogëlonte ndërprerjet e energjisë,” tha Syla.
Syla nënvizon se ndarja e fondeve mbështetëse për projekte energjetike në shtëpi dhe biznese është një hap afatgjatë që mund të rrisë pavarësinë energjetike të vendit, pavarësisht planeve për ndërtim të kapaciteteve të reja.
“Kjo duhet të bëhet një politikë prioritare për të zvogëluar ngarkesat e rrjetit dhe për të përmirësuar furnizimin me energji për qytetarët dhe bizneset,” tha Syla.




