Heqja dorë e Gjermanisë nga energjia bërthamore është një vendim “i pakthyeshëm”, deklaroi sot kancelari Friedrich Merz, ndërsa Komisioni Evropian prezantoi plane për zgjerimin e reaktorëve të vegjël modularë (SMR).
Pas një takimi në Berlin me kryeministrin çek Andrej Babiš, Merz tha se ndan vlerësimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, se largimi i Gjermanisë nga energjia atomike ishte një gabim strategjik.
Gjermania nisi procesin e heqjes dorë nga energjia bërthamore pas katastrofës së vitit 2011 në Fukushima të Japonisë, ndërsa centralet e fundit bërthamore të vendit u mbyllën në vitin 2023.
“Vendimi është i pakthyeshëm”, tha Merz. “Më vjen keq për këtë, por kështu është situata”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë gjermane theksoi se Berlini tani është i përqendruar në optimizimin e politikës energjetike, duke bërë thirrje për zgjerimin e rrjeteve energjetike dhe rritjen e furnizimit me energji.
Qeveria e kancelarit Merz është angazhuar gjithashtu për ndërtimin e centraleve të reja me gaz, të cilat do të shërbejnë si “rezervë” për burimet e rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës.
Komentet e tij erdhën në një kohë kur Ursula von der Leyen prezantoi planet për zgjerimin e prodhimit të energjisë bërthamore në Bashkimin Evropian, përfshirë vendosjen e reaktorëve të vegjël modularë, me qëllim sigurimin e një furnizimi me energji elektrike më të përballueshëm dhe miqësor ndaj klimës.
“Në vitet e fundit po shohim një ringjallje globale të energjisë bërthamore dhe Evropa dëshiron të jetë pjesë e saj”, tha von der Leyen të martën gjatë samitit të dytë ndërkombëtar për energjinë bërthamore në Boulogne-Billancourt pranë Parisit.



