Dje, nën organizimin e Community Development Fund (CDF), para përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ministrisë së Ekonomisë dhe aktorëve të tjerë të sektorit energjetik në Kosovë, u prezantua Drafti i Parë i Rregullës për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme (BEBR).
Në këtë prezantim morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe kompanive kryesore të sektorit të energjisë, përfshirë Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), KEDS, KESCO, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, si dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe organizata të shoqërisë civile, njofton Energy Monitor.
Sipas prezantuesve, kjo rregull përbën një akt të rëndësishëm nënligjor, i cili rrjedh nga legjislacioni në fuqi në Republikën e Kosovës dhe nga kërkesat e direktivave të Bashkimit Evropian për energjinë e ripërtëritshme.
Qëllimi i saj është krijimi i një kornize të qartë ligjore dhe rregullatore për themelimin dhe funksionimin e bashkësive energjetike në Kosovë, duke mundësuar që qytetarët, bizneset dhe institucionet lokale të marrin pjesë më aktivisht në prodhimin dhe përdorimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme.



