Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar institucionet përgjegjëse për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke paralajmëruar se qytetarët mund të përballen sërish me rritje të çmimit të energjisë elektrike gjatë këtij viti.
Përmes një reagimi publik, Ymeri ka deklaruar se situata aktuale po përsërit skenarin e vitit 2025, kur tarifat e energjisë elektrike u rritën në mungesë të një plani vjetor për menaxhimin e sektorit energjetik. Sipas saj, edhe këtë vit po diskutohet për rritje të tarifave ndërkohë që ende nuk është prezantuar një plan i qartë për energjinë elektrike dhe atë termike.
Deputetja e LDK-së ka kritikuar gjithashtu institucionet përgjegjëse, duke përmendur Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), për të cilën tha se fokusohet në shmangien e humbjeve për operatorët e sektorit energjetik, ndërsa qytetarët nuk informohen mjaftueshëm për zhvillimet dhe menaxhimin e pasurisë energjetike të vendit.
Ajo ka theksuar se ende nuk ka një raport zyrtar për zhvillimet në sektorin e energjisë gjatë vitit 2025, duke shtuar se mungesa e transparencës po krijon pasiguri për konsumatorët dhe për mënyrën se si do të menaxhohet furnizimi me energji gjatë vitit 2026.
Ymeri ka ngritur shqetësime edhe për planifikimin e furnizimit me energji gjatë muajve të ardhshëm, duke përmendur faktin se një nga blloqet e Termocentralit “Kosova B” pritet të hyjë në një remont kapital që do të zgjasë rreth nëntë muaj. Sipas saj, institucionet nuk kanë dhënë ende informacione të qarta për mënyrën se si do të sigurohet energjia e nevojshme përmes importit gjatë kësaj periudhe.
Sipas deputetes së LDK-së, këto zhvillime tregojnë për probleme serioze në menaxhimin e sektorit të energjisë dhe për mungesë të transparencës institucionale. Ajo i bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të publikojnë planet dhe strategjitë për menaxhimin e sektorit energjetik, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë më shumë qartësi për zhvillimet e ardhshme.



