“Natën e 12 marsit të këtij viti, regjimi i Kievit me qëllim ndalimin e furnizimeve me gaz për konsumatorët evropianë, kreu sulm duke përdorur dronë sulmues”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi të mërkurën Ukrainën për sulm ndaj stacionit të pompimit “Russkya” që përdoret për transportimin e gazit në Turqi dhe Evropë, duke pretenduar se Kievi po përpiqet të ndërpresë furnizimet e burimeve ruse të energjisë në Evropë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ministria tha se Ukraina po synon qëllimisht infrastrukturën e përdorur për transportimin e naftës dhe gazit në Evropë. “Natën e 12 marsit të këtij viti, regjimi i Kievit me qëllim ndalimin e furnizimeve me gaz për konsumatorët evropianë, kreu sulm duke përdorur dronë sulmues me krahë fiks në stacionin e kompresorëve Russkaya në lokalitetin Gay-Kodzor, Territori i Krasnodarit”, tha ministria.
Sipas ministrisë, 10 dronë u rrëzuan mbi stacionin e kompresorëve të gazit që siguron furnizimin me gaz nëpërmjet tubacionit “TurkStream”. Duke komentuar sulmin ndaj stacionit të kompresorëve Russkaya, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e denoncoi atë si “të pamatur”.
“Mbrëmë pati përpjekje për të nisur përsëri sulme me dronë në stacionin e kompresorëve rus. Ky është stacion bregdetar që siguron pompimin e gazit nëpërmjet ‘South Stream’. Ky është një tjetër sulm ndaj një objekti ndërkombëtar, një linjë e një tubacioni ndërkombëtar nafte që siguron sigurinë energjetike të Turqisë dhe një numri vendesh të tjera. Veprime absolutisht të pamatura të regjimit të Kievit”, tha ai në konferencën për mediat në Moskë.
Ndërkohë, një tjetër sulm ukrainas ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë ishte i suksesshëm. Një depo nafte në Tikhoretsk në rajonin e Krasnodarit u përfshi nga flakët pas një sulmi me dronë, thanë autoritetet rajonale në Telegram.
Zjarri përfshiu 3.800 metra katrorë, thanë autoritetet. Objekti dhe infrastruktura e tij përdoren për të transportuar naftë dhe gaz në qytetin Novorossiysk dhe prej andej në Evropë. Ukraina mori përgjegjësinë për sulmin ndaj depos së naftës në Tikhoretsk. Mediat shtetërore ukrainase, duke cituar burime në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, konfirmuan se ata ishin pas sulmit.
Më 27 janar, Ukraina ndaloi furnizimet e burimeve energjetike nëpërmjet tubacionit “Druzhba” në Hungari dhe Sllovaki. Në përgjigje, Budapesti bllokoi një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën.
Hungaria aktualisht vazhdon të marrë gaz rus nëpërmjet tubacionit “TurkStream” dhe ta dërgojë atë në Sllovaki.
Incidenti vjen në mes të bllokadës së Iranit ndaj Ngushticës së Hormuzit, rrugës kryesore ujore që transporton rreth 20 për qind të naftës globale nga Gjiri Persik, gjatë 10 ditëve të fundit pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.
/aa.com.tr



