Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Departamentit të Industrisë, të enjten, organizoi një punëtori njëditore për prezantimin e draft-dokumentit “Analiza për avancimin e parqeve industriale me karakteristika miqësore për mjedisin”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga komunat e Lipjanit, Rahovecit dhe Shtimes, së bashku me përfaqësues të institucioneve relevante dhe ministrive të linjës.
Studimi është hartuar në kuadër të “Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit (SZhIMB) 2030”, e cila synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e parqeve industriale moderne dhe konkurruese.
Këto parqe pritet të ndërtohen sipas parimeve të zhvillimit të gjelbër, duke përfshirë qasje në burime të energjisë së rinovueshme dhe me karbon të ulët, sisteme efikase të menaxhimit të mbetjeve dhe modele të ekonomisë qarkore.
Po ashtu, infrastruktura e tyre do të projektohet për të mbështetur prodhimin e produkteve me emetime të ulëta ose neutrale të karbonit.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij zhvillimi është edhe promovimi i klasterëve industrialë, të cilët do të nxisin bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet bizneseve vendore, furnizuesve dhe investitorëve të huaj, duke krijuar një ekosistem më të fortë dhe më konkurrues për industrinë.
Gjatë punëtorisë, ekipi i ekspertëve nga operatori ekonomik INSI ka prezantuar metodologjinë dhe strukturën e analizës, gjetjet kryesore, si dhe rekomandimet për avancimin e mëtejmë të parqeve industriale. Analiza fokusohet në zhvillimin e Parkut Industrial në Lipjan, Rahovec dhe Shtime, me synimin që këto hapësira të transformohen në modele moderne të zhvillimit industrial të qëndrueshëm.
Në përmbyllje të punëtorisë u theksua se kjo analizë përbën një hap të rëndësishëm drejt transformimit të parqeve industriale në qendra moderne dhe miqësore me mjedisin, duke kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e zhvillimit industrial dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.
/Motilokal.com



