Tregu i magazinimit të energjisë në Gjermani po përballet me pasiguri në rritje, duke rrezikuar investimet në një nga sektorët kyç të tranzicionit energjetik.
Sipas German Energy Storage Systems Association (BVES), paqartësitë rreth politikave aktuale, veçanërisht lidhur me përjashtimin nga tarifat e rrjetit për bateritë, po krijojnë pasiguri të madhe për investitorët.
Çështja ka dalë në pah pasi rregullatori gjerman po shqyrton ndryshime në sistemin e tarifave të rrjetit, duke vënë në pikëpyetje vazhdimin e këtij përjashtimi, përcjell Energy Monitor.
Sipas shoqatës, reagimi i investitorëve ka qenë i menjëhershëm: vendimet për investime po shtyhen, projektet janë pezulluar, ndërsa disa prej tyre po rishikohen ose madje po anulohen plotësisht.
Përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë se kjo situatë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e kapaciteteve të magazinimit të energjisë, të cilat konsiderohen thelbësore për integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe stabilitetin e sistemit energjetik.
Magazinimi i energjisë, sidomos përmes baterive, po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në Gjermani dhe në Evropë, pasi ndihmon në balancimin e prodhimit nga burimet si era dhe dielli. Megjithatë, industria thekson se pa një kornizë të qartë dhe të qëndrueshme rregullatore, zhvillimi i këtij sektori mund të ngadalësohet ndjeshëm.



