Në një debat të zhvilluar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian lidhur me raportin për Kosovën, është bërë e ditur se janë hequr të gjitha masat financiare ndaj vendit.
Në emër të Komisionit Evropian, zyrtari Jiri Plecity nga Drejtoria për Zgjerim konfirmoi se procesi i heqjes së masave ka nisur që nga maji i vitit të kaluar dhe tashmë ka përfunduar me lirimin e plotë të fondeve.
“Mund të konfirmoj se kemi nisur nga maji i vitit të kaluar heqjen graduale të masave, ndërsa në dhjetor të vitit 2025, Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen paralajmëroi heqjen e masave të tjera. Mund të konfirmoj se Komisioni tash ka liruar të gjitha mjetet e asistencës financiare, fondet për Kosovën” ka thënë ai.
Gjatë të njëjtit debat, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ruiho Terras, kritikoi këto masa, duke theksuar se ato kanë pasur ndikim negativ te qytetarët, shoqëria civile dhe zhvillimi i përgjithshëm i vendit. /Energy Monitor



