Home / Lajme / Kosova / ZRRE thellon bashkëpunimin me AFD dhe KfW për avancimin e sektorit energjetik në Kosovë

ZRRE thellon bashkëpunimin me AFD dhe KfW për avancimin e sektorit energjetik në Kosovë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) dhe delegacionin e KfW, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në sektorin energjetik.

Gjatë takimit, Bordi i ZRRE-së prezantoi zhvillimet më të fundit në tregun energjetik në Kosovë, duke vënë theks të veçantë në avancimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe reformat rregullatore që mbështesin këtë tranzicion.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve u fokusua në progresin e arritur në hartimin dhe finalizimin e legjislacionit sekondar. Kjo përfshin dokumente kyçe si Metodologjia për Kufizimin e Energjisë dhe Rregulla për Mekanizmin Mbështetës, si dhe një sërë aktesh të tjera nënligjore që janë në fazë përgatitjeje ose tashmë të përfunduara. Sipas ZRRE-së, këto masa synojnë krijimin e një kornize të qëndrueshme dhe të harmonizuar me praktikat evropiane, duke lehtësuar integrimin e burimeve të ripërtëritshme në tregun energjetik, përcjell Energy Monitor.

Bordi i ZRRE-së vlerësoi lartë rolin e partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se mbështetja e tyre, veçanërisht përmes asistencës teknike, ka qenë thelbësore në avancimin e dokumenteve rregullatore dhe reformave në sektor.

Në përmbyllje, ZRRE ritheksoi përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me synim zhvillimin e mëtejshëm të një sistemi energjetik të qëndrueshëm, transparent dhe konkurrues në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com