Përballë rritjes së çmimeve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme, Greqia ka prezantuar një paketë mbështetëse prej rreth 300 milionë eurosh për të zbutur ndikimin tek qytetarët dhe bizneset.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis bëri të ditur se masat synojnë të amortizojnë goditjen ekonomike, veçanërisht nga rritja e çmimeve të karburanteve, e cila po reflektohet në gjithë zinxhirin e furnizimit.
Paketa parashikon një subvencion prej 16 cent për litër karburanti, që përkthehet në rreth 20 cent më pak për konsumatorin në çmimin final. Njëkohësisht, do të aplikohet një kartë dixhitale për karburant dhe transport, nga e cila familjet do të përfitojnë rreth 50 euro çdo dy muaj, ndërsa në zonat ishullore kjo shumë mund të arrijë deri në 60 euro.
Sipas qeverisë, masa pritet të përfshijë rreth tre nga katër milionë pronarë automjetesh në vend.
Mbështetja shtrihet edhe në sektorë kyç të ekonomisë. Fermerët do të përfitojnë subvencion prej 15% për plehrat kimike, ndërsa kompanitë e trageteve do të kompensohen me kusht që të ulin çmimet e biletave për qytetarët.
Qeveria synon të frenojë efektin zinxhir të rritjes së çmimeve, nga prodhimi deri te konsumatori final, në një moment kur kostot e energjisë dhe transportit po rriten ndjeshëm.
Për financimin e paketës, Athina planifikon të rrisë taksimin mbi fitimet nga lojërat e fatit online, duke synuar të sigurojë rreth 100 milionë euro shtesë.
Mitsotakis e cilësoi këtë paketë si një “mburojë” për ekonominë, duke theksuar se qeveria do të ndërhyjë sa herë që krizat ndërkombëtare ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.



