Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: 88% e makinave të reja me teknologji elektrike hibride

Shqipëri: 88% e makinave të reja me teknologji elektrike hibride

Tregu i automjeteve në Shqipëri po përjeton një transformim drejt teknologjive më të pastra dhe më efikase.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Shqipëri, gjatë muajit janar të këtij viti, 88% e autoveturave me 0 kilometra të regjistruara në vend janë Electric Hybrid Plug-in.

Kjo përfaqëson një rritje prej 10.2% krahasuar me janarin e vitit 2025, duke konfirmuar trendin e orientimit të konsumatorëve drejt automjeteve me teknologji të avancuar dhe ndikim më të ulët mjedisor. Shifrat tregojnë një ndërgjegjësim të shtuar për rëndësinë e reduktimit të emetimeve të gazrave ndotës.

Autoveturat Plug-in Hybrid kombinojnë motorin elektrik me atë me djegie të brendshme, duke ofruar mundësi karikimi nga rrjeti elektrik dhe një autonomi më të madhe në krahasim me hibridet tradicionale. Kjo teknologji mundëson kursim të konsiderueshëm të karburantit, ulje të kostove të përdorimit dhe reduktim të ndotjes në zonat urbane.

Rritja e regjistrimeve të këtyre mjeteve konsiderohet një hap drejt krijimit të një flote më të pastër, më efikase dhe më miqësore me mjedisin, njëkohësisht duke e afruar Shqipërinë me standardet europiane për mobilitet të qëndrueshëm. Gjithashtu, trendi pozitiv pritet të vijojë edhe në muajt në vijim.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com